Historia e suksesit e djaloshit 15-vjeçar nga Durrësi, i cili nga një emigrant arriti pas më shumë se dy dekadash të krijojë një perandori suksesi në sektorin e enotekave në Shqipëri me L&M Comercial, si dhe krijimin e një brand-i baresh e restorantesh NEPS
Të gjithë rrugët të çojnë në Romë, por vetëm një prej portave të Trevizos, të çon te NEPS, restoranti i Ervis Beqirit, një sipërmarrës i suksesshëm nga Shqipëria, i cili jeton në Jesolo. “Bordo” ka udhëtuar drejt Italisë për t’u njohur me disa nga arritjet e tij, nga importi i produkteve italiane që prej vitesh gjenden në tregun shqiptar përmes L&M Comercial deri në krijimin e rrjetit NEPS, me një rrjet restorantesh, bistro dhe hotel, që Ervis Beqiri ka ngritur në Treviso dhe Jesolo, por që pritet të zgjerohet së afërmi në disa qytete të tjera italiane.
U ndalëm fillimisht në Treviso, në restorantin NEPS, i vendosur në një prej ndërtesave historike të qytetit. Edhe pse ka vetëm një vit që është hapur, Ervisi flet me pasion dhe për dëshirën sesi pret të transformojë këtë biznes, në një rrjet të madh biznesesh në Itali.
Por nëse sot gjithçka lulëzon, nuk ka qenë aspak kaq e lehtë në fillim për djalin nga Durrësi, që vetëm 15 vjeç udhëtoi me anije drejt Italisë, ku vendosi të jetonte dhe punonte aty. Siç ka ndodhur në të shumtën e modeleve të suksesit kudo nëpër botë, fillimi ka gjithmonë në epiqendër një histori plot mund e sakrifica. “Besoj se të gjithë biznesmenët nuk kanë filluar duke qenë të suksesshëm. Fillimi im nisi në vitin '97. Isha 15 vjeç dhe arrita nga Shqipëria me anije. Fillimisht u vendosa në Parma te dajat e mi”. Ervisi kujton se puna e parë që ka bërë ishte me kartonxhes dhe më pas shkoi krejt rastësisht për pushime më Jesolo. “Pasi qëndrova disa ditë, u ktheva, mora bagazhet, që nuk ishte vetëm një çantë e vogël dhe erdha këtu në Jesolo, ku u vendosa përfundimisht”. Nuk harron se fillimi ka qenë paksa i trishtë, duke kaluar netët edhe nëpër shezlonet e plazhit. Arsyeja pse u vendos në Jesolo ishte sepse kjo qytezë e vogël, e cila ndodhet vetëm disa minuta nga Venecia, i kujtonte qytetin e tij të lindjes, Durrësin. Ashtu si çdo durrsak i lidhur pazgjidhshmërisht me dallgën dhe erën e detit. Ervisi nuk e mohon se eksperiencat e para të punës, ishin nga rojë bregdetare deri tek orët e gjata si kamarier dhe barmen, një periudhë e cila ishte e mbushur më energjinë djaloshare.
Pak vite me vonë, ai vendosi të shihte përtej adrenalinës së një të riu, zgjodhi me zgjuarsi jo thjesht për të mbijetuar, por për të fituar një vend në shoqërinë e qytetit. Ai ndoqi rrugën e gastronomisë, duke u shkolluar në një nga shkollat me prestigjioze në Itali, Marchesi. I rrethuar nga shijet dhe ingredientët, por edhe i “veshur” me dëshirën për të mësuar gjithçka rreth kulinarisë, aty ndodhi edhe takimi me botën e verërave. Kjo ishte një tjetër udhë, prej nga arriti të shihte dritë për të ardhmen e tij. E kur, kishte arritur të shijonte eksperiencën me verërat e një vendi kaq magjik që lidhet fort me enologjinë, Ervis Beqiraj, kishte vendosur që një pjesë të këtyre shijeve kaq unike, t’i eksportonte drejt Shqipërisë. Kujton se herët e parë është kthyer në Shqipëri vetëm me një makinë të mbushur plot me shishe vere, duke zgjedhur padyshim etiketat e tij më të dashura, e më pas kur pa se interesi për produkte cilësore ishte i madh, erdhi krijimi i L&M Comercial. Kjo do të ishte një trampolinë prej nga mund të shpërndante jo vetëm verë, por edhe qindra produkte të tjera “Made in Italy” në Shqipëri. “Sot L&M Comercial ka më tepër se 1800 artikuj të ndryshme shumë cilësorë dhe projektet tona janë që ato të shtohen akoma më shumë. Kemi punuar shumë dhe për ne është e rëndësishme që sot kemi mbuluar të gjithë territorin e Shqipërisë, në restorantet dhe baret më të njohura, madje gjendemi edhe në Kosovë”, pohon Ervis Beqiri.
Në këtë intervistë, enologu, chef-i i njohur, e njëkohësisht biznesmeni i suksesshëm, rrëfen gjithçka, nga momenti kur u vendos në Jesolo deri te krijimi i “L&M Comercial”, pa lënë mënjanë, brand-in e tij, NEPS.
Ervis, si nisi “L&M Comercial”?
Gjithçka nisi me nxitjen e djalit të xhaxhait, Dritanit i cili është dhe ai sommelier. Të dy jemi ekspertë të verës dhe ndajmë të njëjtin pasion. Vendosëm që në fillim të ndanim detyrat: unë do të zgjidhja etiketat e verës në Itali dhe më pas ti sillja në Shqipëri. Nga ai moment Dritani do të kujdesej për pjesën tjetër, atë të distribuimit. Gjithçka nisi fillimisht me një bagazh me disa kuti verërash dhe sot jemi kompania lider më tregun shqiptar.
Jeni 3 ortakë që drejtoni “L&M Comercial” prej 2 dekadash, ka një sekret sesi ka funksionuar gjithçka?
U bënë më tepër se 20 vite që jemi bashkë dhe ajo që na ka mbajtur më tepër sesa të bashkuar dhe që bën që gjithçka të funksionojë, është ndarja e roleve. Secili prej nesh bën një rol të caktuar, askush nuk hyn në detyrat e tjetrit. Unë merrem me përzgjedhjen e verërave, por edhe etiketat e tjera të produkteve, të cilat i finalizoj me kontrata. Dritani merret me distribuimin në Shqipëri. Ndërsa Ledi me pjesën e ekonomike, nga dogana deri te shitjet. Pra, secili prej nesh ka rrugën e vet në këtë biznes, pa ndërhyrë te rruga e tjetrit.
Cila është filozofia e “L&M Comercial”?
Ne i japim shumë rëndësi kualitetit dhe çmimit. Nuk punojmë për emra të mëdhenj, por punojmë për cilësinë e produktit, si tek ushqimi dhe te verërat. Ne ofrojmë produkte dhe etiketa nga kompanitë më të rëndësishme nga Europa me destinacion tregun shqiptar! Në radhë të parë nuk vijmë te ky biznes si biznesmenë, por si profesionistë, njohës së verës dhe ushqimit. Kjo na ka bërë të rritemi dhe të kemi 10 enoteka në të gjithë Shqipërinë dhe në Kosovë.
Sa etiketa keni aktualisht në Shqipëri?
Kemi afërsisht te 600 deri 700 etiketa pijesh, më së shumti verërash, ndërsa në gastronomi kemi mbi 1800 artikuj dhe kur flitet për kualitetin mund të përmend marka si pasta Rummo, e cila është lider në Shqipëri, Itali dhe Europë. Pastaj kemi djathin Bergader, ekskluzivitet për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, për të vijuar me Blue cheese, një produkt gjerman, unik dhe që po ecën shumë mirë. Gjëja më e rëndësishme për ne janë restorantet dhe hotelet, të cilat na besojnë për kualitetin e produkteve. Kemi nga salcat dhe produktet e kutive si Ristoris, ndërsa për picat kemi miellin më të mirë që ekziston edhe në Itali, "5 Stagioni", një miell bio i certifikuar.
Cili është vizioni juaj për “L&M Comercial”?
Vizioni ynë është që të arrijmë të kemi disa produkte shqiptare, të prodhuara nga ne, jo të blera. Jemi duke kërkuar të bëjmë një bashkëpunim njëri me tjetrin nëpër kantina, të prodhojmë jo vetëm një verë shumë të mirë që ne e dëshirojmë shumë. Si thuhet këtu në Itali “vera bëhet dhe nga rrushi” ne kërkojmë ta bëjmë tamam nga rrushi.
Vera është e vjetër sa vetë bota, por me gjithë ndryshimet teknologjike, a po ndryshon mënyra e të bërit të verës apo po rikthehet te mënyrat e dikurshme?
Vërtet vera është e vjetër sa bota, por bota ka evoluar dhe ne kemi evoluar bashkë me verën. Në këto momente, verërat po bëhen pa concentrate, po kthehemi në kohë duke i bërë ato në amfora. Kualiteti dhe rëndësia që po i japin njerëzit e këtij sektori mënyrës sesi prodhohet vera, po jep shumë ndryshime. Nuk janë më vetëm emrat e mëdhenj që funksionojnë në botën e verës, por dhe ka edhe kantina të vogla që po i japin rëndësi cilësisë dhe po bëjnë një punë të madhe, ndaj po u bëjnë shumë konkurrencë kantinave me shumë emër. Kjo fillon që nga ne, si unë dhe Dritani, duke qenë njohës shumë të mirë të kësaj fushe, studiojmë dhe më pas zgjedhim cilësinë e verërave duke e përshtatur pastaj me tregun.
Pra, ju përqafoni më së shumti këto kantinat e vogla?
Stili i jetës sime ka qenë gjithmonë të dashuroj kantinat e vogla dhe pa emër të cilave dua t’i jap zhvillim, por edhe të zbuloj gjërat e tyre të reja duke zbuluar kualitete të ndryshëm. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse me një çmim më të reduktuar, mund të pish një verë më të mirë. Siç thoshte edhe mastroja im: ekzistojnë 4 lloj verërash: e bardhë, e kuqe, e mirë dhe e keqe. Ky ka qenë një shembull që kam ndjekur gjithmonë në rrugën time.
Si nisi restoranti i parë NEPS?
Pas shumë viteve nëpër lokale të ndryshme ku kam punuar, vendosa se ishte momenti të hapja një lokal për vete dhe e quajta NEPS. Në fillim ka qenë shumë e vështirë sepse arrinim të bënim vetëm 70 euro xhiro në ditë dhe punoja nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 2:00 të natës. Tani që po flasim kemi një staf prej 10 vetash, që punojnë vetëm te bari. Më pas u hap restoranti dhe hoteli NEPS, të cilat po ecin shumë mirë dhe për ketë ndihem shumë krenar. Te restoranti kemi edhe giardino-n e parë në Jesolo.
A janë kuriozë njerëzit për emrin NEPS të restorantit?
I kemi thënë që është "languerino" dhe çfarë do të thotë në italisht. Ne dhe e kemi transformuar, pas suksesit të snackbar-it, njerëzit kërkonin që të jepnin ushqime sa më shpejtë dhe nuk arrinim dot. Kishte radhë të madhe, ndaj fjalën NEPS e përshtatëm në italisht ‘non e possibile subito’.
Keni menduar të zgjeroheni?
Po ideja është të bëjmë një zinxhir restorantesh, të quajtur NEPS. Jemi bërë aq të njohur sa NEPS ka fituar 3 çmime si club sanduiç më i mirë që ekziston në vendin tonë, ndaj me këto vlerësime po kërkojmë ta hapim edhe në disa qytete të Italisë. Shumë shpejt do të hapim një NEPS në Padova dhe një tjetër në Verona.
Klientët tuaj në restorant janë vendas, janë turistë apo shqiptarë?
90 për qind e klientëve janë vendas, sepse ne jemi gjithë vitin hapur, por sigurisht në verë kemi shumë klientë të huaj. Ka edhe shqiptarë që duke parë emrin NEPS hyjnë dhe pyesin, zgjedhin restorantin tonë.
Për sa i përket restoranteve, a ka në Jesolo shqiptarë të tjerë të suksesshëm?
Në Jesolo jemi më tepër se 10 shqiptarë që kanë bizneset e tyre, ndërsa në Venecia janë 20 restorante të tjera që janë po ashtu të shqiptarëve.
Por bistro NEPS është shtëpiza jote e parë që ke krijuar?
Ajo është dashuria ime e parë. U hap në vitin 2017 me 8 Mars për Ditën e Gruas. Ky është një lokal që e kam bërë me gjithë dashuri, gjithçka që shihni e kam fantazuar dhe realizuar vetë. Tavolinat i kam bërë unë, të gjitha të bëra me dorë. Më pëlqen shumë gjelbërimi, kam dëshiruar gjithmonë që të jetë i mbushur me lule dhe dru, sepse e ngroh shumë ambientin. Kjo është ajo çfarë kam dashur të transmetoj këtu. Është një nga lokalet më të preferuar të zonës dhe është i hapur gjithë vitin dhe klientët e dashurojnë.
A mund të na tregonit edhe për hotelin NEPS?
Hoteli ka 40 dhoma dhe aktualisht janë të prenotuara. Hoteli është me 3 yje, ku ofrojmë edhe mëngjesin. Edhe dizajni i interiorit të dhomave ka një prekje nga ana ime, p.sh., lavamanët i kemi bërë me dorë si në fshatrat tona në Shqipëri.