KreuBordo Men

Kapiten Alban Biçaku: Mes tokës dhe qiellit

Kapiten Alban Biçaku: Mes tokës dhe qiellit

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Piloti është figura më misterioze e ekuipazhit të një avioni dhe shpesh kureshtja e pasagjerëve, për t’u njohur me personin që qëndron në kabinë është e madhe. Kapiten Alban Biçaku, i cili ka nisur të eksplorojë qiejt që në moshën 17-vjeçare tregon për “Bordo” se takimi me pasagjerët ndodh shpesh, e zakonisht në rastet kur ata e kanë fluturimin fobi. Takimi fizikisht me pilotin u jep atyre sigurinë e një fluturimi të qetë, ku sipas kapitenit shqiptar nuk ka aspak vend për panik. Aviatori Biçaku, i lindur në Strugë, rritur e shkolluar në Suedi, prej vitit 2010 jeton në Tiranë. Ndonëse asokohe kryeqyteti shqiptar ishte një destinacion i rastësishëm në rutinën e tij si pilot, njohja me një vajzë nga Tirana, përmbysi të gjitha planet e kapitenit. Mes gjithë fluturimeve dhe aeroporteve të shumta anekënd botës, destinacioni i tij i zemrës tashmë prej 14 vitesh është Tirana, ku është i mezipritur nga bashkëshortja dhe dy fëmijët.

Kapiten Alban Biçaku: Mes tokës dhe qiellit

Alban, si e kujton fluturimin e parë? Kishe frikë?

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, e kujtoj me shumë nostalgji, si të ketë ndodhur dje. Kam qenë 16 vjeç kur kam bërë provën apo testin e parë, për të përjetuar ndjesinë e një fluturimi si pilot, edhe pse me një avion të vogël. Fluturimi të jep një lloj lirie që nuk mund ta përjetësosh në asnjë mënyrë tjetër, madje as unë nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si është në të vërtetë ajo ndjesi. Frikë nuk kam patur kurrë, as herën e parë.

Në cilat raste një pilot me eksperiencë mund të frikësohet?

Përpos përgatitjes maksimale nga ana profesionale, një pilot trajnohet shumë edhe ana emocionale, që të jetë i aftë të ruajë qetësinë në çdolloj rasti. Nisur nga kjo, nuk ka vend për panik në kabinën e një piloti.

Kapiten Alban Biçaku: Mes tokës dhe qiellit

Cili është destinacioni i parë që ke bërë?

Destinacioni i parë ka qenë, nga Tirana për në Pisa, Itali.

Së fundmi në Brazil ndodhi një aksident fatal nga rënia e një avioni. Si i përjeton një pilot lajme të tilla?

Me shumë keqardhje. Ne jemi gjithmonë të përditësuar me incidentet, apo aksidentet që ndodhin nëpër botë dhe i ndjekim zhvillimet nga shumë afër, për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe pse, në mënyrë që të mësojmë edhe ne nga ndonjë gabim njerëzor apo teknik.

Kapiten Alban Biçaku: Mes tokës dhe qiellit

Gjatë karrierës suaj ka patur ndonjëherë ndonjë incident teknik, apo me pasagjerët?

Fatmirësisht nuk ka na ndodhur asnjëherë të kemi defekt teknik, të paktën në fluturimet ku kam qenë unë drejtues apo kapiten i avionit, ndërsa sa i përket incidenteve me pasagjerët mund të them që kanë ndodhur raste, por jo serioze apo shumë shqetësuese. Për shembull një rast që më kujtohet tani, është kur një pasagjer nuk ndiqte asnjë instruksion të stjuardesës dhe refuzonte çdo formë komunikimi, edhe me anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Atëherë na u desh të merrnim vendimin e përjashtimit nga fluturimi të këtij pasagjeri. Apo një tjetër rast, kur një pasagjer nuk u ndie mirë gjatë fluturimit nga ana shëndetësore dhe na u desh të bënim një ulje emergjente në aeroportin më të afërt, që nuk ishte destinacioni ynë.

Për ata të rinj që ëndërrojnë të bëhen pilotë, cila është rruga që ndiqet deri në momentin kur ata të jenë në timonin e një avioni?

Dedikimi dhe këmbëngulja janë thelbësore. Ky është një profesion që vendosmërinë dhe zellin për të mësuar e ka jetike.

Piloti është figura misterioze e ekuipazhit të një avioni. Hasesh shpesh me kuriozitetin e pasagjerëve që kërkojnë të të takojnë?

Kjo ndodh shumë shpesh, sidomos me pasagjerët e frikësuar, ata që kanë fobi nga fluturimet dhe që duan të dinë se cili është personi që qëndron në drejtimin e mjetit me të cilin po udhëtojnë. Ndoshta me njohjen fizikisht të pilotit, ata fitojnë një ndjenjë sigurie dhe ne mundohemi t’i qetësojmë, duke iu shpjeguar se udhëtimi me avion është mënyra më e sigurt, krahasuar me çdo formë transporti tjetër në botë. Madje më e sigurt, edhe se ecja në këmbë (qesh).

Paguhet mirë një pilot?

Një pilot paguhet relativisht mirë, por asnjëherë mjaftueshëm!

Sa orë zgjat një ditë pune?

Një ditë pune varion nga 5 deri në 15 orë.

Cili është aeroporti më i bukur që ke parë?

Sa shumë kam parë (qesh)! Do të veçoja terminalin e Singaporit dhe disa aeroporte në ishujt grekë. Pastaj ndjesinë më të bukur, gjatë uljes në pistën e një aeroporti, ma jep vetëm ai i Tiranës, ku më pret familja ime.

Ndihesh më komod kur je pasagjer, apo pilot në avion?

Kur jam pilot!

Cila është pjesa më e bukur e këtij profesioni?

Është liria që të jep dhe mungesa e monotonisë. Është e pamundur që pilotimi të jetë një profesion monoton, sepse një ditë nuk i ngjan tjetrës, një destinacion nuk i ngjan tjetrit, çdo fluturim është një surprizë e bukur për t’u zbuluar.

 

Cilës kombësi i përkasin pasagjerët më të sjellshëm?

Europianët janë pasagjerët më të sjellshëm, sepse bashkëpunojnë shumë mirë me ekuipazhin me të gjitha instruksionet që ne japim.

Po më të zhurmshmit?

Do të thosha anglezët!

Po ata që konsumojnë më shumë alkool në bord?

(Qesh) Besoj të gjithëve na e merr mendja që janë sërish anglezët.

A ka disa rregulla që ndiqen sa i përket stilit të jetesës të një piloti?

Jetesa e shëndetshme që përfshin ushqim të shëndetshëm, sport, orët e nevojshme të gjumit dhe sigurisht si për çdo njeri, edhe për një pilot abuzimi me alkoolin apo cigaren nuk janë aspak favorite. Ne çdo vit bëjmë një kontroll të detyruar të përgjithshëm te mjeku dhe vetëm pasi marrim përgjigjet pozitive të analizave, rikthehemi sërish në punë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF