KreuBordo Men

Ekskluzive/ Marin Orhanasi, në një rrëfim të rrallë jete!

Ekskluzive/ Marin Orhanasi, në një rrëfim të rrallë

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Nuk ka rëndësi, çfarë natyre ka një marrëdhënie për Marinin, pasi formula për të është njësoj: sinqeriteti dhe besnikëria krijojnë vetëm raporte jetëgjata. E ka treguar me 22 vitet e punës në “Portokalli”; me miqtë e ngushtë të cilët i ka qysh nga fëmijëria e hershme; me historinë e dashurisë me Dorinën që për pak mbush tri dekada... Marin Orhanasi nuk është personazhi tipik i ditëve të sotme, që i sheh kudo e ndajnë gjithçka me këdo. Aktori i dhjetëra roleve në “Portokalli”, teatër e kinematografi, shumë rrallë shfaqet edhe në media, ndaj kur e kontaktuam për të qenë pjesë e “Bordo Men” sigurisht që refuzimi ishte një përgjigje që e prisja. “Më josh printi, letra që për fat të keq po zhduket, ndaj le ta bëjmë këtë bisedë për revistën tuaj. Vetëm se duhet të takohemi, sepse unë nuk bëj intervista me email”; më tha Marini pasi lexoi mesazhin tim. Dhe sa mirë që u takuam, sa mirë që dëgjova dhe pashë përballë meje një aktor brilant, që ishte edhe më brilant si njeri. I thjeshtë si një mik i mirë, Marini rrëfeu për “Bordo” përjetime shumëdimensionale, humbjen e prindërve, sakrificat e profesionit, marrëdhënien me gjysmën e tij Dorin, të cilën ai e quan “shok”, dhe ndjesitë e ëmbla si baba i dy djemve.

Marin, ju jeni një ndër veteranët e programit të humorit “Portokalli”. Asnjëherë nuk e keni menduar largimin?

Unë kam pothuajse 22 vite në “Portokalli”, praktikisht që kur ka lindur ky program. Mund të fitosh para diku tjetër, ndoshta dhe më shumë seç fiton te Top Channel, por rrezikshmëria është shumë e lartë. Në këtë kuptim unë nuk e kam marrë mundimin kurrë të largohem. Mua më kanë ardhur oferta të çuditshme vazhdimisht, por këtu jam në profesionin tim, e bëj me dëshirë, e bëj me qejf, kam dorë të lirë. Sigurisht e mira nuk ka fund. Vazhdoj të mbetem tek ideja që në Shqipëri askush nuk paguhet aq sa meriton, por nga ana tjetër në Top Channel ka një siguri të cilën vlen ta theksoj. Qoftë edhe për ditën kur të del rroga, përveç asaj ka një lloj profesionalizmi që vështirë se do ta gjeja diku tjetër.

Ekskluzive/ Marin Orhanasi, në një rrëfim të rrallë

Sipas jush, ku qëndron sekreti i suksesit të “Portokallisë”?

Ne nuk punojmë njëri për njërin, ne punojmë të gjithë për të gjithë. Pra nëse ne të dy jemi aktorë, dhe ti ke rrezik të dështosh, nuk të lejoj unë.

Ju keni imituar pothuajse të gjitha figurat kryesore politike. Ka shprehur ndonjëri pakënaqësi?

Në fakt, për mendimin tim, i vetmi që e ka kuptuar saktë çfarë do të thotë reklamë është kryeministri, Edi Rama. Edhe Sali Berisha, duke qenë politikani më i imituar ka arritur në një pikë, që e ka kuptuar se imitimi është reklamë pa para. Ndërsa pakënaqësi kam dëgjuar që ka patur Lulzim Basha, e ka patur shumë problem.

Numri i artistëve që janë përfshirë në politikë është shumë i madh. Ndoshta jo në politikë të mirëfilltë, por në fushata. Juve s’ju kemi parë..

Nuk dua të përfshihem, ato pak njerëz që më duan, të më duan për këtë që jam. Nuk ka asgjë të keqe të isha i përfshirë, por të isha i përfshirë për mirë jo për keq. Por me ç’kemi parë zakonisht kur merr pushtet në dorë, nuk e kontrollon më as veten.

Çfarë marrëdhënie keni me paranë?

E kam të keqe shumë, i shkatërroj fare. Paratë siç i marr, mund t’i mbys brenda një dite. Sigurisht që nuk është ndonjë para e madhe, por gjithsesi sido që të vijë puna unë jam shkatërrues i lekëve. E kam prej miqësisë, prej familjes, por nga ana tjetër pastaj është gjë themelore në këtë shoqëri që po jetojmë. Ato paratë e shkreta bëjnë shumë bamirësi.

Po më thoni që bëni bamirësi? Ju mendoni se bamirësia duhet bërë publike?

Jo nuk dua, sepse nuk ka vlerë po u shfaq.

Ama është edhe kjo qasja tjetër, që personazhi publik duhet të influencojë të tjerët.

Po edhe kjo qëndron. Një nga miqtë e mi më të afërt është Elvis Naçi, jemi rritur bashkë, në kuptimin qoftë fetar, qoftë shoqëror. Disa herë kam shkuar tek ai për këtë çështje, por prapë jam shumë i tërhequr dhe e kam një shprehje që shqiptari kur shan Elvis Naçin, që ka ndihmuar me qindra mijëra familje, imagjino çfarë mund të më bëjnë mua.

Marin, si e kujtoni fëmijërinë? Çfarë kujtoni me nostalgji dhe çfarë jo nga ajo kohë?

Me thënë të drejtën gjithçka e kujtoj me qejf, ndoshta jam dhe pak nostalgjik, ka qenë kohë tjetër, fëmijëria e hershme. Unë jam rritur mes shokëve gjithë jetën, shtëpia ime ka qenë si bazë partie. Aty hanim, aty pinim, aty flinim. Nuk di të ndaj shokë të ngushtë, i kam të gjithë shokë. Ka qenë fëmijëri e mrekullueshme. Me ato pak gjëra që kemi patur, ama ishim vërtetë të lumtur. Diçka jo e bukur nga ajo kohë, ishte fakti që ishim të persekutuar. Dhe drama e një fëmije të asaj kohe, ishte se edhe pse ndoshta nuk e kupton çfarë është, ai e ndjen. Dhe unë e ndjeja që ne ishim të persekutuar në shumë aspekte.

Prindërit i keni humbur kur ju ishit shumë i ri.

Po, kam qenë 23 vjeç. Për nënën u parapërgatitëm, sepse ishte me tumor. Isha i rënduar shumë, por prapë i përgatitur. Ndërsa për tim atë ishte shumë e papritur se më vdiq në duar, gjashtë muaj pas vdekjes së nënës. Babai e vuajti shumë humbjen e saj dhe e përjetoi çdo ditë që kalonte edhe më keq. Unë kam fjetur me babin në shtratin martesor, sepse nuk doja ta lija vetëm. Mbaj mend që atë ditë jemi shtrirë të dy dhe më thoshte kam dhimbje në stomak. Vdiq nga dhimbja, nuk e përballoi dot. Më iku për 1 minutë, 1 minutë më zuri gjumi, aty ndodhi. Ndodhi krejt papritur, e shihja që ishte i rënduar, por jo të ikte.

Në “Portokalli” kishit filluar atë periudhë?

Po. Kam dalë në skenë, vetëm dy ditë pasi më kishte vdekur babai. Edhe pse pata mirëkuptimin e regjisorit dhe producentit që të mos dilja, unë vendosa të bëja punën time me gjithë dhimbjen e madhe që kisha në shpirt. Kjo është detyra e profesionit tonë, do të të duhet të qeshësh, edhe nëse brenda je i thyer në mijëra copa. Ose më saktë kjo është dhe magjia e një aktori, që për 2 orë shndërrohesh në dikush tjetër.

Marin, çfarë është bashkëshortja juaj Dorina për ju?

Unë e quaj “shok”. Bëhet fjalë për personin më të afërt timin. Unë mendoj se familja që lëmë pasi largohemi nga prindërit, nuk është familja jonë, ajo është familja e prindërve tanë. Familja ime është Dorina dhe fëmijët.

Ekskluzive/ Marin Orhanasi, në një rrëfim të rrallë

Në kohët që po jetojmë duket se është e vështirë të mbahet një lidhje e gjatë, çfarë mendoni ju se e mban një marrëdhënie të gjatë të shëndetshme?

Toleranca mendoj. Nuk di ta shpjegoj në thelb, çfarë është dashuria, por mungesa e një personi të bën të kuptosh që ti nuk qëndron dot pa të. Si çdo çift, edhe ne kemi patur uljet dhe ngritjet tona, e rëndësishme është të mbetet shoqëria mes njëri-tjetrit. Pra, unë dhe Dori komunikojmë si shokë, ne njihemi aq mirë dhe duke mirëkuptuar dhe pranuar të metat e njëri-tjetrit, mendoj se kjo gjë kalon përtej dashurisë.

Jeni baba i dy djemve, çfarë babai jeni ju?

Unë jam shumë i përkushtuar me fëmijët, madje arrin deri aty përkushtimi, saqë fëmijët e mi nuk hanë po nuk gatova unë. Dua t’i ushqej shëndetshëm dhe fëmijët e mi qoftë nga gjyshja, apo dikush tjetër nuk i hanë supat, sallatat. I hanë vetëm nga dora ime. Këtë e kam të mirë dhe mund të jetë një nga pasionet e mia, që mund të më lësh 3 ditë në shtëpi, vetëm më lër ingredientët dhe nuk dal nga shtëpia. Megjithatë çunat u rritën, tani më duhet të rris gruan (qesh).

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF