KreuCelebrity

"Tak Fak" me Dorin & Devisin! Nga largimi nga Top te programi i ri!

"Tak Fak" me Dorin & Devisin! Nga largimi nga Top te programi

Nga Nada Biraçi 

Fotografia: Andis Rado 

Dikur ndanin bankat e të njëjtit kurs në Akademinë e Arteve, pa e ditur se me kohën karriera e tyre do të lidhej fort pas emrit të njëri-tjetrit. Dorian Ramaliu dhe Devis Muka prej vitesh vijnë siç ata e quajnë veten si ‘2 çunat e popullit’, te të cilët qytetarët shohin shpresën për zgjidhjen e problemeve. Largimi i beftë nga programi “Fiks Fare” duket se ka qenë i papritur jo vetëm për publikun, por edhe për vetë ata. Aktorët investigativë flasin për herë të parë rreth kësaj çështje, duke shuar kureshtjen e të gjithë atyre që u kanë mbushur inbox-in e rrjeteve sociale me pyetjen, “Çfarë ndodhi?”. Prej javësh tashmë Dori dhe Devi kanë një shtëpi të re mediatike dhe një program të ri në të cilin duket se kanë derdhur shpirtin. “Tak Fak” është dritarja më e re investigative për të gjithë ata që kërkojnë dëshpërimisht një përgjigje…

"Tak Fak" me Dorin & Devisin! Nga largimi nga Top te programi

“Tak Fak” programi më i ri investigativ nën moderimin e Dorit dhe Devit. Pse ky emër?

Dori- Ka ardhur shumë natyrshëm. Ka ardhur nga një bisedë që kemi bërë me Irfanin. Pasi u mbyll muhabeti dhe u bë shumë shpejt, u mbyll çdo gjë për 5 minuta. Pasi kemi dalë te dera na tha më pëlqen ajo, “Tik Tak Tik Tak”, jo i thashë unë për të qenë “Tik Tak”, më mirë ja vëmë “Tak Fak”.

Në gjuhën tuaj prej aktorësh ky program ka dramë, sarkazëm, komedi. Vështirë të vishen këto zhanere në vetëm 60 minuta?

Dori- Tani që po ma thua ti po më duket shumë e vështirë, por kur jemi aty vjen organike besoj. 

Devi- Ne e kemi si markën tonë këtë, si mënyrën tonë, si stilin tonë, le të themi që dhe kur një temë është shumë e rëndë, është shumë e dhimbshme ne përpiqemi të gjejmë dritë. Dhe dritën e japim me humor, me sarkazëm që mos të qajmë vetëm, por edhe të qeshim. 

Çfarë ka qenë e vështirë për ju në moderimin e një programi të tillë?

Dori- Ky është një program që nis nga A-ja dhe duke nisur nga A-ja vështirësitë ishin të pafundme. Ne jemi bërë gati në kohë rekord me thënë të drejtën, ndoshta në një periudhë më pak se sa një muaj. Vështirësia më e madhe është pjesa e stafit, krijimi i komplet stafit. Ndërsa pjesa tjetër kur është mobilizuar gjithçka, studio, të gjithë komponentët, ne jemi rehat tek ajo gjëja. Ditën që ne kemi emisionin ne e kemi si ditë feste që në mëngjes e fillojmë me këngë, me valle, jemi shumë në qejf. 

Programe investigative janë disa në ekranet tona, pse njerëzit duhet të zgjedhin “Tak Fak”?

Devi- Njerëzit duhet  zgjedhin “Tak Fak” për të vetmen arsye sepse ne realisht do të jemi krahë njerëzve, ne realisht do të përpiqemi me të gjithë mundësitë tona t’i zgjidhim tak fak hallet e tyre. Nuk do të shikojnë vetëm një emision vetëm me halle dhe me probleme, që këto gjëra mund t’i gjesh në rrugë, në lajme, në gazeta, në portale. Por do të gjejnë dhe humor, do të gjejnë dhe qejf, do të gjejnë dhe muzikë, do të gjejnë dhe këngë, do të gjejnë dhe valle. Ne jo për t’i bërë qejfin vetes, por ne i bëjmë të gjitha këto. 

Dori- As unë as Devi nuk e kemi parë kurrë që në momentet e para që kemi filluar punë te Fiksi, nuk e kemi bërë kurrë që të bëjmë diçka që të ngjajë diku tjetër. Madje ajo çfarë kemi patur me njëri-tjetrin gjithmonë, ka qenë mos të jemi as shëmbëlltyra e dikujt tjetër që thonë ngjan me X me Y, pa përmendur emra edhe duke i respektuar të gjithë kuptohet. Ne jemi këta që jemi, ne vetëm po na imituan se ne të imitojmë për çështje performance nuk është pjesë e jona.

"Tak Fak" me Dorin & Devisin! Nga largimi nga Top te programi

Si jeni ndjerë në shtëpinë tuaj të re në “News 24”?

Dori- Siç e the dhe ti, fiks shtëpi e re. Jemi shumë komodë, të dy jemi shumë falënderues. Realisht në momentin që isha unë dhe Devi ishte fiks momenti i duhur dhe si të thuash na hapi derën “News 24”.

Devi- Ne synonim gjithmonë që të gjenim një ekran që të ishte shumë popullor, se vetë emisioni është emision i popullit dhe populli e bën me hallet, me shqetësimet e veta. Ne përpiqemi që të jemi 2 çunat e popullit, qajmë hallet e popullit dhe na duhej një ekran që të ishte popullor. Që do s’do e gjen në çdo shtëpi të shqiptarëve. Duam s’duam ne, “News 24” e gjen kudo.

Jeni hasur me sy xhelozë korridoreve?

Dori- Patjetër, ku ka pa sy xhelozë. Ne jemi të vërtetë në gjërat që themi, jemi hasur të dy me sy xhelozë, kemi hasur me njerëz që thoshin nuk do e bëni, jemi hasur me persona që thoshin nuk dua unë që të bëhet kjo gjë. Por prapë dhe njëherë, falë dashamirësisë së Irfanit dhe ne që insistuam me thënë të drejtën që kjo gjë do shkonte deri në fund, ia arritëm. 

Largimi nga Top Channel, si ndodhi?

Dori- Largimi nuk është se më ka shijuar shumë personalisht, as mua as Devit, është për t’u thënë. Nuk është se e prisnim, kjo është hera e parë që flas për këtë gjë, nuk e prisnim fare. Unë dhe Devi përsa i përket komplet Topit, ne kemi qenë në Top edhe kur është hapur me zërat e parë fare. Kemi qenë në fillim fare 10-15 zëra që do të dublonim filma, dokumentare, ne ishim 2 nga ato 10 personat e parë fare. E kemi gdhirë atje, kemi qenë që në fillimet e para.

Devi- Ne kemi shkuar fëmijë në Top, jemi bërë burra në Top, kemi gjetur dhe grua në Top, jo Dori e gjeti në Top se unë e gjeta diku tjetër. Kemi bërë dhe fëmijët kur ishim në Top. Kështu që ndodhi për arsye të televizionit, menduan që një ndryshim do t’i bënte mirë gjësë, të paktën kjo është thënë. 

Devi- Ç’është e vërteta të tregohemi me këmbë në tokë, kushdo që të jetë nuk është se e merr mirë lajmin për t’u larguar nga puna. Edhe Trumpit t’i thuash ik andej nga je, do të mërzitet edhe pse ka 1000 biznese të vetat. E përshëndesim dhe e duam shumë fort popullin që na ndalonin në rrugë, dhe na thoshin, “po pse, po si, po qysh, po tek, ju ishit kështu, ju ishit ashtu”. Iku kjo histori, filloi një gjë e re, fatmirësisht është pritur mirë dhe ne do të japim maksimumin tonë, sepse është emision i popullit, nuk është emisioni ynë. Ai e bën dhe ai e shikon që të bëjmë më të mirën edhe te “Tak Fak”. 

"Tak Fak" me Dorin & Devisin! Nga largimi nga Top te programi

Cili qan më shpesh kur dëgjon hallet e shqiptarëve? 

Dori- Që ai emision, që ato tema që janë, Devi përfshihet shumë emocionalisht kur ka tema specifike dhe kur jemi në studio. Unë absolutisht kam gjërat e mia. Ndoshta kjo vjen edhe ngaqë pak kohë ka që jam bërë baba, rreth 3 vite dhe absolutisht ndjeshmëritë bëhen më të mëdha. Kur ka tema për fëmijët, për pensionista, absolutisht që ke ndjeshmëri. Nuk mund të them që qaj, por që bëhem pjesë e gjësë ndodh automatikisht, dhe tani që ma thua si pyetje më vijnë në mendje gjëra, situata që nuk ndjehem mirë. Ma ndryshon humorin, absolutisht që po

“Fiks Faren” e keni ndjekur këto kohë?

Devi- Fare, ne mezi kemi ndjekur gratë dhe kalamajtë që kemi në shtëpi.

Dori- Fare jo me qëllim dhe jo për keq të them të vërtetën, është dhe ajo që tha Devi. E para kemi qenë gjithë kohës shumë të ingranuar dhe nuk na ka rënë në mend fare me thënë të drejtën. Sepse në qoftë se ti do e shikosh, do e shikosh për xhelozi, është diçka që tani nuk më lidh më asgjë me atë program. Unë jam pak i prerë. 

Nëse Juli dhe Xhemi do t’ju kërkonin një këshillë, cila do të ishte ajo?

Dori- Nuk kam çfarë këshille t’i jap, Xhemin e kam shoqe, e kam mike edhe kemi folur madje. Kështu që ato gjëra që unë mund të mendoja për mirë ia kam thënë. 

Emrat tuaj janë lakuar si pjesëmarrës në “Big Brother” këtë edicion. Çështje marketingu apo vërtetë e kishit një ftesë? 

Dori- Kjo intervista u bë më e vërtetë siç duhet, nuk e prisja këtë intervistë. Kam përshtypjen se kanë qenë paralelisht bashkë. Momenti i largimit tonë nga Fiksi, ishim dy emrat e parë që dilnim gjithandej. Nuk e kam marrë kurrë seriozisht me thënë të drejtën, sepse që kur ka rënë muhabeti për herë të parë, nuk e shikoja veten fare. Te kjo gjë kam qenë i qetë, as më përket, nuk kam absolutisht asgjë me ata që shkojnë te Big-u.

Devi- Ajo doli si doli nuk e di kush e ka nxjerrë, ftesë zyrtare nga ata që bëjnë “Big Brother-in” që janë dhe miqtë tanë dhe i përshëndesim, nuk na ka ardhur.

Kiminë mes jush e keni patur që në fillim apo ju desh pak kohë? 

Devi- Ne kemi qenë si një familje e madhe në Akademinë e Arteve kur kemi qenë studentë. Kemi patur raste që kemi qenë dhe 20 veta në kurs. Kishim një profesor që e kishim si baba për të gjithë kursin tonë. Ai është kumbari i shumë shoqërive dhe miqësive dhe vëllazërive që ndodhën në atë kurs. Profesori jonë i nderuar, Birçe Hasko. Ai e trajtoi të gjithë kursin si një familje të vetën, si fëmijët e vetë dhe ne dashje padashje me atë frymë vazhduam edhe pas akademisë. 

 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF