Nëse do të kërkoje imazhin antropologjik të një mashkulli autokton shqiptar, Alesio Alia do të ishte piktura e gjallë. Shtatlartë, me një trup të skalitur ku është ‘gdhendur’ një mozaik tatuazhesh, modeli i njohur me një përvojë të gjatë në pasarelat botërore, rizgjon emocionet e fotosesioneve në një editorial për “Bordo Men". Pas eksperiencës së fundit në programin "Big Brother VIP Albania", ai vendos të rrëfejë gjithë përjetimet e tij brenda shtëpisë më të famshme dhe arsyet e ndërprerjes së garës. Plot emocion dhe vërtetësi, Alesio ndan përjetimet si baba për herë të tretë, periudhën e divorcit, rigjetjen e dashurisë së re me këngëtaren Jonida Maliqi, si dhe disa detaje rreth raportit të tyre pas ndarjes së shumë përfolur. Ai zbulon gjithashtu projektet e ardhshme si dhe ëndrrën e tij të madhe për t’u kthyer te rrënjët, vendlindja Tropoja si dhe trashëgimia që do t’u lërë fëmijëve. Por, edhe pse pas shumë ulje-ngritjeve në jetë, mesazhi i Alesios është dashuria...!
Alesio, pas një jete si model i rikthehesh sërish fotografisë me "Bordo", si ndihesh?
Të them të drejtën po provoj emocione që i kam provuar në momentet e para të karrierës sime. Një emocion që m’u rikthye pas 26 vitesh dhe po më jep akoma një emocion që nuk do të doja ta provoja, por ja që ju ma rikthyet edhe njëherë.
Përse dole nga "Big Brother VIP"?
E kisha si plan vetë. U futa me një arsye, që të kisha një luftë me veten dhe dola aty ku doja. Jam shumë i lumtur që dola, i mora më të mirën Big-ut dhe Big-u mori më të mirën time.
A pati ndonjë moment që u ndjeve si i huaj në atë shtëpi?
I huaj jo, po e pyeta veten: a bëre zgjedhjen e duhur? A po nxjerr atë që do? Kisha të drejtë, nxora atë që doja.
A hyre për të fituar?
Jo, se kur hyj për ta fituar, e fitoj.
Nuk arrite të përshtateshe apo kishte diçka që nuk shkoi siç e prisje?
Jo që s'u përshtata, por situata ishte shumë e rëndë kur hyra. Kur situata është e rëndë, çfarë do bësh?! Nuk lufton dot me situatën, duhet të luftosh me njerëzit, të kapësh njerëzit në momentin e duhur dhe unë e arrita.
Kush mendon se do e fitojë?
Pavarësisht shoqërisë me Mirin, mendoj që ka të tjerë që e meritojnë më shumë, janë Selin dhe Rogerti.
Çfarë të mungoi më shumë në atë shtëpi?
Kalamajtë e mi. Ishte një moment i bukur kur fola me ta sapo dola. Ata ishin shumë të lumtur dhe unë u lumturova sepse nuk e kisha përjetuar kurrë të qëndroja kaq gjatë pa folur me ta.

Jeton mes Shqipërisë dhe Australisë, ku e ndjen veten më shumë në shtëpi?
Shtëpia ime është Shqipëria dhe do të jetë deri ditën që do të vdes. Australia është shtëpia e dytë, sepse kam fëmijët atje.
Shqipëria apo konkretisht Tropoja?
Tropoja më ka dhënë personin që jam. Tropoja ka nxjerrë burra të fortë. Faleminderit rrënjëve të mia që kam marrë nga ai vend i bukur.
Çfarë të mungon më shumë?
E kam vuajtur shumë mungesën e vendit tim, sepse jetoj prej 30 vitesh jashtë. Më mungon vendlindja ime, Tropoja, rrënjët e mia dhe ato dua t'ua kaloj kalamajve të mi, si unë i kam marrë nga gjyshërit. Dua që ata të kuptojnë se pema është e bukur sepse i ka rrënjët të mëdha, ato e mbajnë të shëndetshme pemën. Shpresoj një ditë të dinë që baba i tyre vjen nga Tropoja, nga Shqipëria.
A je rikthyer në shtëpinë e familjes?
Rikthehem shpesh. Hera e fundit ishte kur shkova e fala babën te varri, se ka qenë diçka mes meje dhe tij.
A ke nostalgji për diçka?
Kam pasur një fëmijëri jo shumë të këndshme në Tropojë. Nuk është faj i fëmijëve, është faj i prindërve. Në këtë mes nuk e vë nënën time, po e vë fajin tek im atë. Po gjërat që kanë kaluar s’i rikthehem dot. E kaluar ka vdekur. E ardhmja s'ka lindur akoma. Jetojmë momentet.
Si është të jesh babai i tre fëmijëve ndërkohë që jeton mes dy kontinenteve?
Nuk është e lehtë të jesh babai i tre fëmijëve sepse ata duan kujdesin e vet. Kujdesi financiar nuk është kryesor, por babai që duhet të jetë prezent. Unë nuk jam një babë tjetër që zgjohen në 8 të mëngjesit dhe çojnë fëmijët te kopshti, çerdhja apo shkolla. Unë kam një jetë shumë të çuditshme sepse puna ime është e tillë. Nuk është e lehtë, por mundohem të jem prezent dhe sa më shumë afër tyre.
Alesio, çfarë të ka mësuar prindërimi?
Kur u bëra babë, kur ka lindur goca vazhdova t'ia di vlerën më shumë nënave, grave dhe vajzave. Kjo më ka bërë një person me vlera shumë më të mëdha, të vlerësoj femrat dhe sa sakrifica bëjnë që të jemi ne në këtë jetë. Kur bëhesh prind e sheh jetën me një sy tjetër.
Në moshën 49-vjeçare si e sheh jetën ndryshe nga kur ishe 25?
Çdo muaj apo vit jeta ndryshon. Tani e shoh pse jam shumë i realizuar, sepse e shoh jetën dhe të jetoj i qetë çdo ditë. E shoh dhe qesh për shumë gjëra që kam kaluar në jetën time.
A ka një moment që ishte pikëkthese dhe të shërbeu të ndryshoje këndvështrim për veten dhe jetën?
Kanë qenë disa momente, një prej tyre ishte vitin e kaluar me humbjen e babit. Jam rritur pa babën, por nuk e mendoja që do ta vuaja kaq shumë. Dhe thonë “nuk bëhesh burrë pa pas humb babën”. E kam vuajtur shumë, m’u duk sikur vdiq diçka, një pjesë e trupit tim.
Si nisi rrugëtimi yt si model?
Ka qenë diçka që s’e kam pritur, ishte një ëndërr që s’e kam pas kurrë ëndërr, pasi doja të bëhesha sportist. Kam luajtur futbollist dhe isha portier, por u njoha me një vajzë në Itali që punonte te “Casa di moda” dhe në një drekë me disa stilistë të Disquare më thanë “më pëlqen ky djali për fushatën e xhinsave”. Asokohe punoja në gazetë nga ora 12 natën deri në 6 të mëngjesit, ndërsa ditën, si murator. Fillimisht kisha komplekse, nuk kisha konfidenca me veten. Kujtoj që shkova në banjë dhe para pasqyrës i thashë vetes: po këta çfarë shohin tek unë që nuk e shoh unë. Aty ishte vendimi që unë e mora.

Sa kohë i kushton pamjes tënde?
S'kam nevojë sepse bëj stërvitje dhe tani më është bërë stil jetese. Kur zgjohem vendos kremrat që më duhen është normale, sepse kam qejf të rri në diell.
Divorci sa të ndryshoi si njeri?
Nuk ka qenë e lehtë sepse janë në mes tre kalamaj, por falënderoj akoma atë grua të fortë. Është një nënë shembullore, një person që do e respektoj gjithë jetën, sepse ajo do të jetë pjesë e familjes sime derisa të vdes dhe unë gjithmonë do të jem një person që do ta mbështes. S'ka qenë e lehtë si çdo divorc, por divorci ynë ka qenë shumë i mirë dhe me mirëkuptim me njëri-tjetrin.
A beson ende në dashuri?
Normal jeta pa dashuri s'është e njëjta. Dashuria është shumë e bukur. Dashuria të jep emocionet më të bukura, të bën të fluturosh nga një kontinent në një kontinent tjetër dhe duket si me qenë pesë minuta. Nuk ka jetë pa dashuri. I uroj çdo personi që të dashurojë njëherë. Nuk ka gjë më e bukur.
Çfarë cilësish kërkon ose vlerëson te një partner?
Inteligjenca dhe komunikimi më pëlqen shumë te një femër, por edhe mënyra si flet, ecën, si prezanton veten.
Si një model i rrethuar nga estetika, bukuria, imazhi sa i rëndësishëm është?
S'ka të bëjë fare, më intereson personi. Imazhi të bëhet bajat. Në momentin që e njeh atë person bukuria bëhet diçka normale. Për mua ka të bëjë inteligjenca, sa e vendosur, i kam shumë qejf personat e fortë.

Pas "Big Brother", cilat janë projektet e tua?
Unë kam pasur projekte para se të futem dhe tani që kam dalë do të vazhdoj projektet e mia me muzikën dhe me talentet e rinj, që t’u jap një hapësirë më të madhe DJ-ve. Dua të krijoj një tip program kompeticioni, me talente të reja dhe t'ju hap rrugët në Evropë dhe në botë.
Të ardhmen tënde e sheh këtu apo prapë?
Do të jem këtu dhe atje, por këtu është baza ime kryesore. Shpresoj që kalamajtë një ditë të rikthehen, por momentalisht janë të rinj dhe vendi për ata është atje. Unë do të jem pjesë e tyre, por tani ka ardhur momenti që të shikoj lumturinë time sepse nëse nuk do të isha unë i lumtur, askush që më rrethon nuk është i lumtur.

