KreuBordo Men

Sardi Strugaj mes famës, sakrificës dhe kërkimit për autenticitet

Nga Brunilda Gorovelli

Pas zërit të njohur dhe projekteve të suksesshme që publiku sheh në skenë, fshihet një rrugëtim i mbushur me punë, sakrifica dhe dilema personale. Sardi Strugaj flet hapur për prapaskenat e karrierës së tij, koston reale të suksesit, presionin e famës dhe nevojën për të mbetur autentik në një industri që ndryshon vazhdimisht. Në këtë intervistë, ai rrëfen anën njerëzore të artistit, frikërat, kompromiset dhe pasionin që e mban ende të lidhur fort me muzikën.

Çfarë nuk shihet pas skenës së një këngëtari të suksesshëm?

Në prapaskenat e mia ka gjithmonë një grup njerëzish që merren me shumë detaje, që nga gjërat më të vogla, deri tek ato më të mëdha, të gjitha shumë të rëndësishme. Përtej të qenit këngëtar apo autor këngësh, pjesa më e rëndësishme është pjesa e transmetimit të këngëve te dëgjuesit. Jam njeri me fat dhe rrethohem me njerëz profesionistë që kujdesen për mbarëvajtjen e projekteve të mia.

A të ka ndryshuar fama si njeri?

Pak po. Nuk ka se si mos të të ndryshojë. Një njeri publik duhet të ketë vetëpërmbajtje para shumë situatave, që një njeri jo publik ndonjëherë e lëshon veten. Duhet të jesh i qeshur, edhe atëherë kur mbase nuk të vjen të qeshësh.

Cilat janë shpenzimet për një artist që publiku nuk i imagjinon?

Industria në Shqipëri është rritur dhe përmirësuar shumë. Që do të thotë se pritshmëria e publikut ndaj artistëve që ndjekin është e madhe. Një këngë e bukur, ka kosto për t’u krijuar. Ashtu dhe një video do një grup artistësh në krijimtari dhe realizim. Pjesa më e rëndësishme pas këngës, që shpeshherë publiku nuk e di, është marketingu. Gjithashtu, dhe pjesa me kostot më të larta. Imazhi kërkon dedikim dhe të gjitha këto, që të dalë një produkt i mirë, mund të fillojnë nga 7000 € deri në 10.000 €.

A është më e shtrenjtë fama apo suksesi?

Mendoj që suksesi është më i shtrenjtë, në të gjitha kuptimet e fjalës. Fama sot është pak më e thjeshtë për shkak të mundësive që të japin shumë platforma, si rrjetet sociale apo edhe programet televizive. Suksesi kërkon shumë mendim, vullnet dhe disiplinë.

Kush je ti kur nuk je artist?

Me thënë të drejtën nuk ndryshoj shumë, por përtej pjesës publike, imazhit që kam si njeri i qetë, kam edhe unë nerva, momente rënie, ato errësirat që në publik i fsheh.

A ke frikë nga përsëritja?

Prej disa kohësh kam filluar të eksperimentoj me muzikën, edhe me zhanre që deri tani nuk i kam bërë. Kjo ka ardhur nga fakti që më është dukur vetja i përsëritur në disa projekte. Mendoj se është mirë të krijosh një identitet, por duhet të kesh kujdes edhe nga përsëritja e tepërt.

Çfarë ke humbur nga jeta “normale” (jo publike) për shkak të karrierës?

Kam sakrifikuar jetën sociale. Pak nga kompleksi i të qenit i vëzhguar kudo, dhe pak për të ruajtur ekskluzivitetin e skenës. Mund të fus këtu të dalën nëpër clube, por kur vjen puna për udhëtime apo kënaqësi të tilla, nuk e le mangët.

Sakrifica më e vështira në rrugëtimin tënd?

Më është dashur të bëj disa kompromise për hir të karrierës dhe mundësive që kam pasur. Dikur betohesha se nuk do të dilja kurrë në skenë gjysmë-playback, pa bandë live. Kam refuzuar aq shumë vende që më ftonin, sepse nuk e mundësonin dot anën teknike për të qenë live, apo për shkak të pagesës së lartë që ka banda. Më vonë e kuptova që duhet të lëshoj pak pe, dhe të përshtatem. Kjo më ka rritur profesionalisht dhe më ka bërë të punoj më fort.

Çfarë do të thotë për ty autenticitet në muzikë?

Është nevojë, për të mbetur në memorien e njerëzve. Mendoj që gjërat autentike “jetojnë” më gjatë.

Çfarë të frikëson më shumë në sukses?

Çfarë vjen pas. Nuk e kam arritur akoma atë që kam në mendje dhe pasi ta arrij nuk jam i sigurt çfarë vjen pas.

⁠Çfarë do të ndryshoje në industrinë muzikore shqiptare?

Ka pafund gjëra për t’u ndryshuar, por më jepni pak kohë (qesh). Përtej shakasë, ka probleme që në performancat live, mungesa e platformave promovuese reale për artistët e rinj. Nuk i jepet vëmendje artistëve të veçantë, dhe kjo sjell që shumica të ndjekin shembujt e suksesit të artistëve aktualë, duke u bërë kopje. Nuk po vazhdoj më shumë, por ka shumë probleme (qesh).

A ke ndjerë ndonjëherë presion për të ndryshuar stil për tregun?

Po, por është normale, sepse e vërteta është që me eksperiencë, edhe unë kam ndryshuar, kështu që dhe stili ndryshon. E rëndësishme është që, nëse ndryshon stil, të jesh përsëri vetja jote, jo dikush që është. (Nuk ka nevojë për një të dytë si “i suksesshmi”)

⁠A ka rivalitet të shëndetshëm në këtë industri?

Ka artistë që po ndjekin një mënyrë shumë cilësore, po e ngrenë karrierën bashkë me nivelin. Kjo bën që unë të punoj më fort. Kështu që rivaliteti i shëndetshëm është ai që na duhet të gjithëve për t’u rritur.

⁠Çfarë të relakson më shumë pas një koncerti?

Zakonisht jam në rrugë duke u kthyer dhe ajo rruga me makinë më shijon shumë.

Çfarë bën kur nuk bën muzikë?

Në jetën time është primare deri tani që pjesën e lirë aq pak sa është, merrem me aktivitet fizik, dhe kur mundem takoj njerëzit që dua të cilët nuk i takoj shpesh.

⁠Çfarë përfaqëson studio për ty: punë apo terapi?

Për mua puna është terapi, kështu që të dyja bashkë. Por, fakti që bëj punën që dua, e bën terapinë shumë më të vlefshme.

⁠A preferon të punosh vetëm apo me ekip?

Kur shkruaj shumicën e kohës jam më mirë vetëm, por në përgjithësi me ekip preferoj të punoj sepse ka gjithmonë rezultate më të mira.

⁠Cila është pjesa më e vështirë apo më e bukur e procesit krijues për ty?

Teksti është ajo që më duket pjesa më e vështirë, por kur vjen, vjen, dhe aty është momenti më i bukur. Pra, momenti i parë i krijimit të këngës, që ne e quajmë demo, është më i bukuri. Momenti që kam më shumë bezdi është të xhiroj videot. Aty jam jashtë komfortit tim total.

A do ta konsideroje ndonjëherë pjesëmarrjen në një ‘reality show’? Pse po ose pse jo?

Varet çfarë ‘reality show’ bëhet fjalë. Nëse flitet për “Big Brother” apo të ngjashëm, nuk e mendoj se jam i përshtatshëm. Por, nuk them kurrë.

Çfarë mendon se do të ishte sfida më e madhe për ty në një format të tillë?

Të jetoj me njerëz që nuk do t’i duroj dot, të ruaj veten që mos të reagoj ashtu siç nuk më njihni.

⁠A duhet artistët të ‘shfrytëzojnë’ një format reality për të treguar veten përtej artit?

Nuk do të thosha duhet, por është mundësi shumë e mirë për shumë artistë apo njerëz të tjerë që të promovohen, të bëhen të famshëm.