
Përtej suksesit të tij në muzikë, Bad Bunny vazhdon të angazhohet edhe në mbështetjen e të rinjve në vendlindje. Fondacioni i tij jofitimprurës, Good Bunny, ka njoftuar rikthimin e programit edukativ “Un Verano Contigo” për vitin 2026.
Në edicionin e katërt të këtij projekti, 270 të rinj nga Porto Riko do të kenë mundësinë të marrin pjesë pa pagesë në një program trejavor, i cili kombinon artin, muzikën, modën dhe sportin. Aktivitetet do të organizohen në Universitetin Sagrado Corazón në San Juan, ku pjesëmarrësit do të trajnohen nga artistë, pedagogë dhe profesionistë të industrive kreative.
Përveç njohurive teorike, programi është ndërtuar për të ofruar eksperienca praktike, mentorim dhe mundësi konkrete për zhvillimin e aftësive profesionale dhe krijuese të të rinjve.
Drejtori i fondacionit, José “Che Juan” Torres, theksoi se Porto Riko ka një potencial të jashtëzakonshëm rinor, por shpesh të rinjtë nuk kanë akses në burimet dhe mundësitë e nevojshme për të zhvilluar talentin e tyre.
“Ka shumë të rinj me ide, pasion dhe kreativitet. Qëllimi ynë është t’u krijojmë hapësira ku ata të mësojnë, të frymëzohen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Bad Bunny vazhdon turneun botëror “Debí Tirar Más Fotos”, i cili sipas Billboard Boxscore është bërë turneu më fitimprurës i karrierës së tij. Me të ardhura që kanë kaluar 1 miliard dollarë, artisti është bërë këngëtari i parë latin që arrin këtë shifër vetëm nga koncertet.
Aktualisht, fituesi i gjashtë çmimeve Grammy po zhvillon koncertet në Evropë, ndërsa turneu pritet të mbyllet më 22 korrik me performancën e fundit në Bruksel.
