Bleona Qereti ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj ndërkombëtar. Këngëtarja shqiptare është pranuar si anëtare votuese e Recording Academy, organizata që qëndron pas çmimeve prestigjioze Grammy.
Lajmin e ka bërë publik vetë artistja përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë moment si një nga më domethënësit e karrierës së saj. Statusi i ri i jep Bleonës të drejtën të marrë pjesë në procesin e votimit që përcakton kandidatët dhe fituesit e Grammy Awards.
Për këngëtaren, kjo arritje ka një peshë të veçantë, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si artiste e pavarur, larg mbështetjes së kompanive të mëdha diskografike dhe strukturave tradicionale të industrisë muzikore.
Bleona kujtoi se e nisi rrugëtimin nga Shqipëria, në një periudhë kur mundësitë për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare ishin thuajse të pamendueshme. Sipas saj, çdo hap është realizuar falë këmbënguljes, punës së palodhur, mbështetjes së familjes dhe besnikërisë së fansave.
“Ky nuk është vetëm një moment historik për mua, por për çdo artist të pavarur që ndjek një ëndërr kundër të gjitha gjasave”, u shpreh ajo.

Artistja falënderoi Recording Academy për vlerësimin, duke shtuar se ndihet krenare që tashmë ka një vend në tryezën ku vlerësohen muzika dhe artistët që formësojnë të ardhmen e industrisë.
Nga Shqipëria drejt një prej institucioneve më të rëndësishme muzikore në botë, Bleona vazhdon të dëshmojë se ambicia dhe këmbëngulja mund të kapërcejnë çdo kufi.
