Ndeshja çerekfinale e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Belgjikës nuk solli emocione vetëm në fushë, por edhe një paradë të vërtetë yjesh në tribunat e stadiumit në Los Angeles.
Në qendër të vëmendjes ishin çifti i njohur i Hollywood-it, Penélope Cruz dhe Javier Bardem, të cilët e ndoqën sfidën së bashku me miqtë dhe familjarët. Pranë tyre u shfaq edhe Brad Pitt, i shoqëruar nga partnerja e tij, Ines de Ramon.


Aktori fitues i çmimit “Oscar” tërhoqi menjëherë vëmendjen pasi kishte veshur një fanellë të kombëtares së Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se SHBA-ja ishte eliminuar pikërisht nga Belgjika. Ines de Ramon, e cila ka rrënjë familjare spanjolle, dukej se e kishte më të qartë skuadrën që mbështeste.

Në tribunën VIP ndodhej gjithashtu kitaristi i grupit Oasis, Noel Gallagher, i cili përfaqësoi me krenari tifozët anglezë. Cruz dhe Bardem kanë ndjekur Spanjën edhe në ndeshje të tjera të turneut, ndërsa më herët kishin pritur në tribunën e tyre edhe këngëtaren Rosalía.
Belgjika u përfaqësua në stadium nga mbreti Philippe, së bashku me drejtues të Federatës Belge të Futbollit.

Lista e personazheve të famshëm nuk përfundoi këtu. Në stadium u panë edhe influencuesi IShowSpeed, këngëtarja Tate McRae, aktorja Issa Rae dhe legjenda e Manchester United, Rio Ferdinand.


Të pranishëm ishin gjithashtu Mike Shinoda i Linkin Park, Courtney Love, Emily Armstrong, reperi Tyga, si dhe disa emra të njohur të sportit amerikan, mes tyre Myles Garrett, Chloe Kim, Bijan Robinson dhe Jordan Love.
Prania e yjeve në stadiume është kthyer në një nga historitë më të komentuara të Kupës së Botës 2026. Gjatë turneut, ndeshjet janë ndjekur nga personazhe si Tom Cruise, David Beckham, Shakira, Kim Kardashian, Sabrina Carpenter, Will Ferrell dhe shumë emra të tjerë të njohur ndërkombëtarisht.
Sfida Spanjë–Belgjikë shënoi edhe ndeshjen e fundit të këtij Botërori të zhvilluar në Los Angeles, duke e mbyllur rrugëtimin e qytetit me futboll, spektakël dhe një numër të jashtëzakonshëm yjesh në tribuna.
