
Industria e muzikës ka humbur një prej emrave më të rëndësishëm të saj. Brian Potter, kompozitori dhe producenti britanik që firmosi disa nga hitet më të njohura të dekadave të fundit, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga vajza e tij për Billboard, e cila bëri të ditur se Potter prej kohësh vuante nga sëmundja e Alzheimerit. Ai u shua më 30 qershor në një qendër kujdesi në Granada Hills, Los Angeles.
Karriera e Potter u shtri për disa dekada, gjatë të cilave ai bashkëpunoi me emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare. Në partneritet me tekstshkruesin amerikan Dennis Lambert, ai krijoi një sërë këngësh që u kthyen në hite botërore, mes tyre “Rhinestone Cowboy” e Glen Campbell, “Baby Come Back” e grupit Player, “It Only Takes a Minute”, e cila u rikthye me sukses vite më vonë nga Take That, si dhe “Ain’t No Woman (Like the One I’ve Got)” të Four Tops.
I lindur në Essex të Anglisë, Potter e nisi rrugëtimin në muzikë si baterist, përpara se të spikaste si autor tekstesh. Një nga sukseset e para erdhi në vitin 1965 me këngën “Whatcha Gonna Do About It” të grupit Small Faces.
Pas transferimit në Shtetet e Bashkuara, ai ndërtoi një karrierë të suksesshme si kompozitor dhe producent. Përveç krijimit të hiteve, Potter ishte pjesë e projekteve të rëndësishme muzikore, duke prodhuar albumin “Baby Come Back” të Player, që qëndroi në krye të klasifikimeve amerikane, si edhe albumin “Inner Secrets” të Santana.
Ai kontribuoi gjithashtu në rikthimin e Four Tops në skenën muzikore dhe bashkëpunoi me Universal Studios në disa projekte artistike.
Me ndarjen nga jeta të Brian Potter, muzika humbet një krijues që la pas një katalog të pasur këngësh, të cilat vazhdojnë të dëgjohen dhe të interpretohen nga artistë të brezave të ndryshëm.
