
Michael Douglas është gati të ndajë me publikun historinë e jetës së tij përmes librit me kujtime “One Helluva Ride”, ku do të flasë hapur për sukseset, sfidat dhe momentet që kanë shënuar rrugëtimin e tij personal e profesional.
Libri, që do të publikohet këtë vjeshtë nga Grand Central Publishing, do të sjellë rrëfime të sinqerta nga fëmijëria e aktorit, marrëdhënia me babain e tij legjendar, Kirk Douglas, si dhe hapat e parë drejt karrierës që e shndërroi në një nga emrat më të njohur të Hollywood-it.
Në moshën 30-vjeçare, Douglas fitoi çmimin e tij të parë Oscar si producent i filmit “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” (1975), ndërsa më pas u bë protagonist i disa prej filmave më të suksesshëm, si “Fatal Attraction”, “Basic Instinct” dhe “Wall Street”, rol për të cilin u vlerësua me një Oscar të dytë.
Përveç arritjeve në kinematografi, aktori 81-vjeçar do të ndalet edhe te periudhat më të vështira të jetës së tij. Në libër ai flet për martesën e tij të parë, përballjen me varësinë, luftën kundër kancerit në stad të avancuar, si edhe sfidat që ka kaluar familja e tij ndër vite.
Douglas prek gjithashtu historinë e djalit të tij Cameron dhe marrëdhënien 25-vjeçare me bashkëshorten, aktoren Catherine Zeta-Jones.
“Doja që këtë histori ta tregoja unë, me zërin tim. Jo përmes titujve të mediave apo suksesit në arkëtime, por ashtu siç ka qenë në të vërtetë,” është shprehur aktori.
Libri “One Helluva Ride” pritet të dalë në shitje më 6 tetor, ndërsa porositë paraprake janë hapur tashmë.
