
Edhe pse përplasja mes Taylor Swift dhe Kanye West nisi më shumë se 15 vite më parë, hija e atij momenti vazhdon të shoqërojë marrëdhënien mes dy yjeve të muzikës.
Sipas mediave amerikane, gjatë organizimit të dasmës së këngëtares me yllin e NFL-së, Travis Kelce, ekipi i sigurisë kishte hartuar një plan të veçantë në rast se Kanye West do të tentonte të shfaqej pa ftesë në ceremoninë private.
Burime për Naughty But Nice kanë bërë të ditur se emri i reperit ishte përmendur disa herë gjatë takimeve të planifikimit, pasi organizatorët donin të shmangnin çdo situatë të papritur.
“Siguria kishte një plan nëse Kanye do të shfaqej. Emri i tij u diskutua vazhdimisht gjatë përgatitjeve. Ata nuk donin të linin asgjë në dorë të fatit”, ka deklaruar një burim.
Shqetësimi lidhej edhe me episodin e vitit 2009 në MTV Video Music Awards, kur West ndërpreu fjalimin e Taylor Swift pasi ajo fitoi çmimin “Best Female Video”, duke deklaruar se Beyoncé e meritonte atë vlerësim. Ngjarja u kthye në një nga momentet më të përfolura në historinë e ceremonive muzikore.
Sipas burimeve, organizatorët donin që dasma të mbahej mend vetëm si një ditë e veçantë për Taylor Swift dhe Travis Kelce, jo si një tjetër kapitull i konfliktit të vjetër me Kanye West.
Në fund, frika rezultoi e pabazë, pasi ceremonia u zhvillua pa probleme dhe reperi nuk u shfaq.
Ndërkohë, emri i Kanye West është aktualisht në qendër të vëmendjes edhe në Shqipëri, pas debatit për koncertin e tij në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shteti ndërhyri financiarisht me rreth 4 milionë euro për të garantuar zhvillimin e eventit, duke argumentuar se anulimi do të dëmtonte imazhin e vendit.
Sipas Ramës, mbështetja financiare ishte e nevojshme për të mos zhgënjyer mijëra të huaj që kishin blerë bileta dhe për ta shfrytëzuar koncertin si një mundësi promovimi për turizmin shqiptar.
Kështu, ndërsa në SHBA siguria e Taylor Swift përgatitej për çdo skenar të mundshëm me Kanye West, në Shqipëri prania e tij në skenë është kthyer në një çështje debati publik.
