KreuCelebrity

Harry Styles hyn në historinë e Guinness: vendos rekord me 12 koncerte radhazi në Wembley

Harry Styles hyn në historinë e Guinness: vendos rekord me 12 koncerte
Harry Styles ka shtuar një tjetër sukses në karrierën e tij, duke u futur zyrtarisht në Guinness World Records falë një rekordi të ri të vendosur në stadiumin Wembley të Londrës.

Ylli britanik dhe ish-anëtari i One Direction përmbylli serinë e 12 koncerteve të njëpasnjëshme, të gjitha me bileta të shitura, në kuadër të turneut të tij “Together, Together”, që nisi më 12 qershor. Me këtë arritje, ai vendosi rekordin për numrin më të madh të shfaqjeve radhazi të zhvilluara në Wembley nga një artist gjatë të njëjtit turne.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Coldplay, i cili realizoi 10 koncerte radhazi në stadiumin londinez. Fillimisht, Styles kishte planifikuar vetëm gjashtë mbrëmje muzikore, por interesi i jashtëzakonshëm i publikut bëri që numri i tyre të dyfishohej.

Në koncertin përmbyllës, ku morën pjesë rreth 80 mijë spektatorë, emocionet ishin të dukshme. Gjatë mbrëmjes, këngëtari interpretoi materiale nga albumi i tij më i ri “Kiss All the Time. Disco, Occasionally”, si edhe disa prej hiteve që e kanë shoqëruar përgjatë karrierës.

Përfaqësuesi i Guinness World Records, Will Munford, e cilësoi këtë sukses si një dëshmi të ndikimit që Harry Styles ka në skenën muzikore botërore dhe të lidhjes së fortë me fansat e tij. Sipas tij, vendosja e këtij rekordi në një skenë ikonike si Wembley e bën arritjen edhe më të veçantë.

Një nga momentet më prekëse të koncertit ishte kur Styles kujtoi periudhën e tij me One Direction. Ai falënderoi ish-shokët e grupit, Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe të ndjerin Liam Payne, duke pranuar se pa ta nuk do të kishte arritur deri në këtë pikë të karrierës.

Pas përfundimit të serisë së koncerteve në Londër, turneu “Together, Together” do të vazhdojë më 17 korrik në São Paulo, ndërsa në fund të gushtit artisti do të nisë një seri prej 30 koncertesh në Madison Square Garden në Nju Jork.