KreuCelebrity

Jonathan Anderson flet për herë të parë për fustanin e nusërisë së Taylor Swift: “Ishte një përvojë shumë emocionale”

Jonathan Anderson flet për herë të parë për fustanin e
Drejtori kreativ i Christian Dior, Jonathan Anderson, ka ndarë për herë të parë detaje mbi krijimin e fustanit të nusërisë së Taylor Swift, duke e cilësuar bashkëpunimin me këngëtaren si një nga përvojat më të veçanta të karrierës së tij.

Taylor Swift dhe Travis Kelce kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Madison Square Garden në New York, në praninë e rreth 1.000 të ftuarve, mes të cilëve figura të njohura nga muzika, kinemaja dhe sporti. Dasma u konfirmua zyrtarisht në mbrëmje, ndërsa në ekranet gjigante jashtë arenës u shfaq mesazhi “JUST T&T MARRIED”, që tërhoqi vëmendjen e fansave.

Përmes një deklarate të publicistes së Swift, Tree Paine, u bë e ditur se çifti kishte zgjedhur veshje të personalizuara nga Christian Dior Haute Couture. Megjithatë, shtëpia e modës ka vendosur të ruajë privatësinë e ceremonisë dhe deri më tani nuk janë publikuar fotografi zyrtare të fustanit të nuses.

Në një intervistë për revistën WWD, Anderson tregoi se procesi krijues ishte i mbushur me emocion.

“Puna me Taylor ishte një kënaqësi e vërtetë. Gjatë këtij rrugëtimi krijuam një miqësi të bukur dhe është gjithmonë diçka e veçantë të realizosh fustanin e dasmës së dikujt”, u shpreh ai.

Megjithëse pamja e plotë e fustanit mbetet ende e panjohur për publikun, disa detaje u zbuluan nga Adam Aron, drejtori ekzekutiv i AMC dhe një nga të ftuarit në ceremoni. Në një postim në rrjetin X, i cili u fshi më pas, ai e përshkroi krijimin si një fustan të bardhë elegant me bisht të gjatë dhe vello klasike, duke e cilësuar atë “mahnitës”.

Sipas informacioneve të publikuara, Taylor Swift kompletoi pamjen me bizhuteri Cartier, ndërsa si ajo ashtu edhe Travis Kelce zgjodhën këpucë të realizuara posaçërisht nga Christian Louboutin.

Kjo nuk është hera e parë që Jonathan Anderson firmos një fustan nusërie për Dior. Stilisti ka krijuar më parë edhe veshjet e dasmës për modelen Ming Xi dhe influencuesen braziliane Elisa Zarzur.

Në ditët para ceremonisë, fansat kishin vënë re se Taylor Swift po shfaqej shpesh me çanta të dizajnuara nga Anderson për Dior, duke spekuluar se kjo ishte një shenjë se ai do të ishte edhe autori i fustanit të saj të dasmës.

Ceremonia mblodhi një numër të madh të famshëmish, mes tyre Selena Gomez, Sabrina Carpenter, Steven Spielberg, Bradley Cooper, Gigi Hadid dhe Karlie Kloss. Ndërkohë, sipas raportimeve, aktori Adam Sandler drejtoi ceremoninë, ndërsa Taylor zgjodhi që në vend të një shoqërueseje tradicionale të kishte vëllanë e saj, Austin Swift, në rolin e “man of honor”.

Pamjet e publikuara pas dasmës treguan se Madison Square Garden ishte transformuar në një ambient përrallor, i dekoruar me gjelbërim, harqe elegante dhe elemente luksoze, ndërsa në hyrje ishin vendosur fotografi që rrëfenin historinë e dashurisë së çiftit, nga momentet e para deri te propozimi për martesë.