Nga kujtimet e fëmijërisë në Kosovë, te suksesi në muzikë dhe jeta si bashkëshort e baba, Bardhi ka ndarë një nga rrëfimet më intime të karrierës së tij në podcastin e Grida Dumës. Këngëtari foli për sfidat që ka kaluar, besimin që e ka mbajtur të fortë dhe ndryshimet që i ka sjellë familja në jetën e tij.
Mes momenteve më emocionuese të intervistës ishte rikthimi te periudha e luftës, kur shtëpia e familjes së tij u godit nga një bombë.
“Na hodhën bombën mbi shtëpi, dyert ishin plot me plumba”, kujton ai, duke treguar se ato ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në jetën e tij.
Bardhi u ndal edhe te besimi në Zot, për të cilin tha se e ka ndihmuar të përballojë zhgënjimet dhe periudhat më të vështira. Ai foli gjithashtu për familjen e madhe ku është rritur dhe vlerat që ka marrë prej saj.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua jetës private dhe rolit të tij si prind. Këngëtari pranoi se ardhja në jetë e vajzës e ka ndryshuar plotësisht mënyrën se si e sheh jetën.
“Pse nuk jam bërë baba më herët?”, u shpreh ai, duke theksuar se prindërimi i ka dhënë një kuptim krejt tjetër jetës.
Intervista u mbyll me një deklaratë romantike për partneren e tij, Sarën.
“Edhe një jetë tjetër ta kisha, nuk do të gjeja një më të mirë se Sara”, tha Bardhi.
