
Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Fier, ku një 17-vjeçare u dhunua nga bashkëmoshataret e saj, ka reaguar familja e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në incident.
Prindërit tregojnë se mësuan për ngjarjen fillimisht nga raportimet në media dhe më pas u thirrën në komisariat për të dhënë deklarimet e tyre. Nëna e së miturës, e prekur emocionalisht, shprehu publikisht keqardhjen për atë që ndodhi dhe u kërkoi ndjesë 17-vjeçares së dhunuar, si edhe familjes së saj.
Sipas tyre, vajza prej disa muajsh po përballet me probleme të shëndetit mendor dhe ndodhet nën kujdes mjekësor. Familjarët pretendojnë se ajo kishte shfaqur edhe më parë sjellje agresive, ndërsa ata kishin kërkuar ndihmë pranë institucioneve përkatëse për trajtimin e saj, por, sipas tyre, nuk morën mbështetjen e nevojshme.
Familja thekson se deklaratat e tyre nuk synojnë të minimizojnë apo të justifikojnë veprimet e së miturës, por kërkojnë që gjendja e saj shëndetësore të merret në konsideratë gjatë trajtimit të çështjes. Ata u bëjnë thirrje institucioneve kompetente të sigurojnë trajtim të specializuar mjekësor dhe psikologjik për vajzën, paralelisht me procedurat ligjore që po ndiqen për ngjarjen.
