KreuCelebrity

Lamtumira e një legjende! Ronaldo përshëndet Botërorin me lot dhe duartrokitje

Lamtumira e një legjende! Ronaldo përshëndet Botërorin me

Portugalia është eliminuar nga Kupa e Botës 2026, pasi u mposht 1-0 nga Spanja në fazën e 1/8-ave, në një ndeshje dramatike që u vendos vetëm në minutat shtesë. Goli vendimtar u shënua nga Mikel Merino, duke i dhënë fund ëndrrës së Cristiano Ronaldos për të fituar trofeun e vetëm që i mungoi gjatë karrierës së tij legjendare.

Menjëherë pas vërshëllimës së fundit, kamerat u fokusuan te kapiteni portugez. Ronaldo nuk arriti t'i mbante lotët, ndërsa përshëndeti tifozët portugezë në stadium, në një moment që preku miliona fansa në mbarë botën.

41-vjeçari kishte konfirmuar para sfidës se ky do të ishte Botërori i tij i fundit. Kështu, aventura e tij në kompeticionin më të madh të futbollit mbyllet pa arritur të ngrejë trofeun e Kupës së Botës, i vetmi sukses madhor që mungon në palmaresin e tij.

"Jam i trishtuar që po largohem kështu nga Botërori. Dhurova gjithçka që kisha dhe largohem me ndërgjegje të pastër. Po, ishte Botërori im i fundit, por tani do të kem kohë të reflektoj dhe të jem me familjen. Nuk do të marr vendime të nxituara", u shpreh Ronaldo pas ndeshjes.

Edhe pse nuk arriti të kurorëzohej kampion bote, Ronaldo largohet si futbollisti me më shumë gola dhe paraqitje në historinë e kombëtareve, me 146 gola në 233 ndeshje për Portugalinë. Momenti më i madh i karrierës së tij me fanellën e kombëtares mbetet triumfi në Kampionatin Evropian të vitit 2016.

Ish-shoku i tij i skuadrës, Wayne Rooney, e vlerësoi Ronaldon si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

"Ai është një gjeni, një superstar. Gjithçka që i ka dhënë futbollit është e jashtëzakonshme. Ka një mentalitet që rrallë e sheh te një sportist. Do të jetë shumë i zhgënjyer sepse besonte se mund ta fitonte Botërorin, por koha nuk kursen askënd", tha Rooney.

Ndërkohë, Spanja siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku do të përballet me Belgjik;n ndërsa për Ronaldon mbyllet një kapitull historik, i shoqëruar me lot dhe emocione që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve.