Shkrimtarja dhe poetja Mimoza Ahmeti ka zbuluar se është duke punuar për disa projekte të reja, të cilat lidhen si me krijimtarinë e saj letrare, ashtu edhe me muzikën. E ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, ajo tregoi se synon t’i bëjë veprat e saj më të aksesueshme për lexuesit përmes një platforme online, ndërsa paralelisht ka nisur punën edhe për një këngë të re.
Gjatë intervistës, Ahmeti u ndal fillimisht te mënyra se si është perceptuar ndër vite nga publiku. Sipas saj, deklaratat dhe debatet në media kanë marrë më shumë vëmendje sesa krijimtaria e saj letrare.
“Me këto debatet online, fjala është në kohën ‘tani’ dhe mua më shumë më njohin për të gjitha fjalët që kam thënë nëpër intervista në kohën ‘tani’, sesa ma njohin veprën.Por do bëj diçka dhe unë, jam në përpjekje më një uebsajt që m’u ofrua falas nga jashtë që do të hapet, për të futur të gjitha botimet e mia dhe për t’i kaluar në shitje eletronike që lexuesit t’i aksesojnë lirshëm.”
Ahmeti bëri të ditur gjithashtu se po rikthehet edhe në muzikë pas një shkëputjeje të gjatë. Ajo tregoi se është në përfundim të një projekti të ri muzikor në bashkëpunim me Bujakën, ndërsa nuk përjashton mundësinë që më pas të publikojë edhe këngë të tjera.
Gjithashtu se këngëtari Bujaka ka zbuluar ekskluzivisht për Revistën Bordo disa detaje nga bashkëpunimi i tij me Mimoza Ahmetin. Ai ka folur për mënyrën se si lindi projekti, prapaskenat e realizimit, si edhe ka ndarë detaje nga xhirimet e videoklipit të këngës së re. Intervista e plotë me rrëfimin e artistit do të publikohet së shpejti në kanalin zyrtar të Revistës Bordo në YouTube.
“Këngët e mia kanë fjetur gjumë nga 20 vjet. Tani po bëj një këngë me Bujakën, kemi bërë provën e parë në Durrës dhe u kënaqëm shumë. Jemi duke mbyllur dhe videokipin dhe pastaj do shohim mos bëjmë dhe nja dy këngë të tjera. Këngët e vjetra duhet t’i hedh në Youtube dhe të fillojnë të aksesohen.”
Në pjesën e fundit të bisedës, shkrimtarja ndau edhe këndvështrimin e saj mbi marrëdhënien mes artistit dhe veprës, duke theksuar se vlera e një krijimi qëndron te vetë përmbajtja e tij.
“S’po marr unë publicitet asnjëherë. Poezitë e mia kanë marrë çmimin e parë në Sanremo që në ’98 që ishte festivali i parë ndërkombëtar i poezisë Sanremo, e mora unë, para Anna Oxa-s. Nuk e kemi të flasim për njeriun apo artistin, problemi del në vepër. Veprat e mëdha janë vepra intime dhe vepra që nuk godasin grupe, persona apo individë të caktuar.”
