
Edhe pse Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë qenë rivalët më të mëdhenj të futbollit botëror për gati dy dekada, duket se mes partnereve të tyre mbizotëron një raport krejtësisht ndryshe.
Së fundmi, Georgina Rodriguez i ka dërguar një dhuratë Antonela Roccuzzos, bashkëshortes së Lionel Messit. Kjo e fundit e ndau surprizën me ndjekësit në Instagram, duke publikuar një foto të një kompleti pajisjesh për joga nga marka sportive “Mimoa”, e krijuar dhe menaxhuar nga Georgina.
Antonela e falënderoi publikisht partneren e Ronaldos me një mesazh të ngrohtë: “Faleminderit shumë, Georgina. Çdo gjë është e mrekullueshme. Të uroj shumë suksese.”
Postimi tërhoqi menjëherë vëmendjen e fansave, të cilët e cilësuan gjestin si një shembull respekti dhe miqësie, pavarësisht rivalitetit historik mes dy ikonave të futbollit. Shumë komentues e përshkruan këtë moment si të papritur dhe mjaft të bukur, ndërsa të tjerë nuk kursyen as batutat, duke e lidhur me humor me rivalitetin mes Ronaldos dhe Messit.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Georgina dhe Antonela tregojnë respekt ndaj njëra-tjetrës. Ato kanë ndërvepruar edhe më parë në rrjetet sociale, duke mbështetur postimet e njëra-tjetrës.
Edhe vetë Cristiano Ronaldo ka theksuar në disa intervista se rivaliteti me Lionel Messin ka qenë gjithmonë vetëm brenda fushës së lojës. Sipas tij, mes tyre nuk ka pasur kurrë armiqësi personale.
Në një rrëfim interesant, portugezi ka treguar edhe një episod gjatë një udhëtimi, kur tha se origjina argjentinase e Georginës e ndihmoi të thyente akullin me një stjuardesë nga Argjentina. Me humor, ai i tregoi se partnerja e tij është nga Buenos Aires dhe se ka gjithmonë simpati për argjentinasit, duke bërë që situata të kthehej në një bisedë miqësore.
Ky episod është një tjetër dëshmi se, përtej garës legjendare mes Ronaldos dhe Messit, marrëdhëniet mes familjeve të tyre karakterizohen nga respekti dhe mirësjellja.
