Arrestimi i komedianit turk Deniz Göktaş ka shkaktuar reagime të forta në Turqi dhe ka hapur një debat të madh për lirinë e shprehjes dhe kufijtë e humorit.
Göktaş u arrestua në aeroportin e Stambollit pas kthimit në Turqi dhe u la në paraburgim, nën akuzat për “fyerje të presidentit” Recep Tayyip Erdoğan dhe “degradim publik të vlerave fetare”. Shkak u bë shfaqja e tij stand-up “Ölü Deniz”, e publikuar në YouTube, ku ai bëri satirë politike dhe batuta për fenë.
Në një pjesë të performancës, komediani ironizonte Kuranin, duke e quajtur “librin më të mirë nga katër librat” dhe duke bërë humor me idenë se ai konsiderohet “libri i fundit”. Ndërsa në një tjetër moment, ai e quajti Erdoğanin “diktator”, gjë që autoritetet e kanë cilësuar si fyerje ndaj presidentit.
Göktaş i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka pasur qëllim të fyejë besimtarët apo presidentin. Ai ka theksuar se shfaqja është luajtur prej rreth tre vitesh në qytete të ndryshme dhe është ndjekur nga mbi 100 mijë persona pa ankesa të drejtpërdrejta nga publiku.
Autoritetet turke thonë se ndaj shfaqjes janë bërë 185 ankesa, ndërsa gjykata e konsideroi komedianin “rrezik arratisjeje”, pavarësisht se ai ishte kthyer vetë në Turqi pasi kishte mësuar për hetimin.
Arrestimi ka sjellë reagime nga opozita, organizata të të drejtave të njeriut dhe komuniteti artistik. Qindra persona u mblodhën jashtë Gjykatës Çağlayan në Stamboll, duke kërkuar lirimin e tij me thirrjet “Deniz Göktaş nuk është vetëm” dhe “Vendi i një komediani nuk është burgu, por skena”.
Aktorja Selin Şekerci, e cila shkoi në gjykatë për ta mbështetur, u shpreh se nuk shihte asnjë arsye legjitime që Göktaş të ndodhej aty.
Për mbështetësit e tij, rasti është kthyer në simbol të presionit ndaj artit, humorit dhe fjalës së lirë në Turqi.
