Pas vitesh heshtjeje, J-Ax ka vendosur të flasë hapur për prishjen e bashkëpunimit me Fedez, një nga ndarjet më të komentuara në muzikën italiane. I ftuar në emisionin “The BSMT” të Gianluca Gazzoli, reperi zbuloi disa detaje nga prapaskenat e fundit të partneritetit të tyre, si dhe marrëveshjen ligjore që i mbajti të dy të heshtur për një kohë të gjatë.
J-Ax tregoi se fundi i Newtopia-s, kompanisë që ai dhe Fedez kishin krijuar së bashku, nuk erdhi papritur, por ishte rezultat i një krize të gjatë mes tyre. Sipas tij, problemet kishin nisur përpara koncertit të madh në San Siro, i cili në publik u pa si kulmi i suksesit të tyre.
“San Siro nuk ishte gjëja ime dhe nuk e shijova. Ndihesha keq dhe doja të largohesha, por nuk dua të hyj në detaje. Gjërat kishin marrë një drejtim që nuk më pëlqente. Fryma që kishim kur themeluam Newtopia-n ishte zhdukur. A nisëm San Siron ndërkohë që po ziheshim? Problemet ishin aty”, u shpreh J-Ax.
Një nga zbulimet më të forta të reperit lidhet me marrëveshjen e konfidencialitetit që ai dhe Fedez kishin firmosur në momentin e ndarjes profesionale. Sipas J-Ax, kontrata parashikonte penalitete milionëshe në rast se ndonjëri prej tyre fliste publikisht për arsyet e ndarjes.
“Kur përfunduam bashkëpunimin me Newtopia-n, firmosëm edhe një marrëveshje me penalitete miliona dollarëshe, ku thuhej se unë dhe ai nuk mund të thoshim asgjë për ndarjen në përgjithësi. Unë pranova ofertën e parë që më bënë, pa negociuar”, tregoi ai.
Kjo marrëveshje, sipas tij, shpjegon edhe arsyen pse për vite me radhë ai nuk reagoi ndaj deklaratave apo provokimeve publike. Edhe kur Fedez foli për versionin e tij në emisionin “La Confessione” të Peter Gomez në vitin 2019, J-Ax zgjodhi të mos përgjigjej, ndonëse, siç lë të kuptohet, ajo intervistë ndikoi negativisht në imazhin e tij publik.
Megjithatë, koha duket se ka zbutur tensionet. Në vitin 2022, J-Ax dhe Fedez u pajtuan publikisht, duke emocionuar fansat që kujtojnë periudhën e suksesit të tyre të përbashkët me albumin “Comunisti col Rolex”. Sot, marrëdhënia mes tyre duket më e qetë dhe më e pjekur.
J-Ax e përshkruan këtë raport si atë të dy prindërve të ndarë që mblidhen për Krishtlindje për hir të fëmijëve.
