Eliminimi i Egjiptit nga Botërori 2026, pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës në fazën e 1/8-ave, la pas një ndjenjë të fortë zhgënjimi, por edhe krenarie kombëtare. Për herë të parë, Egjipti kishte arritur të kalonte grupet në një Kupë Bote, duke shkruar një kapitull historik për futbollin e vendit.
Por sapo arbitri sinjalizoi fundin e ndeshjes, vëmendja në rrjet u përqendrua menjëherë te një emër: Mohamed Salah. Për kritikët, ishte një tjetër moment për të hapur debatin mbi mungesën e një trofeu të madh me kombëtaren. Për miliona të tjerë, ishte thjesht dhimbja e një kapiteni që mban mbi supe emocionet, shpresat dhe presionin e një kombi të tërë.
Historia e Salah, megjithatë, nuk mund të përmblidhet në një humbje. Ajo nis shumë larg dritave të Anfield, në Nagrig, një fshat i vogël bujqësor në Egjipt, ku një djalë i ri ëndërronte futbollin në kushte modeste. Kur firmosi me ekipin e të rinjve të El Mokawloon në Kajro, realiteti për Salah ishte tepër i vështirë. Për të shkuar në stërvitje, në moshën 14-vjeçare ai detyrohej të linte shkollën më herët, të ndërronte pesë autobusë dhe të udhëtonte katër deri në pesë orë vajtje, pesë ditë në javë, për vite me radhë. Kthehej në shtëpi pas mesnate, vetëm për ta nisur të njëjtin rrugëtim të lodhshëm pak orë më vonë.
Kalimi në Europë me Basel i hapi dyert e mëdha, ndërsa transferimi te Chelsea në vitin 2014 duhej të ishte hapi i madh i karrierës. Por në Angli, nën drejtimin e Jose Mourinho-s, Salah nuk gjeti hapësirat e pritshme. Ai u etiketua si lojtar i papjekur për Premier League, tepër i lehtë fizikisht dhe jo mjaftueshëm efikas.

Në vend që të thyhej nga refuzimi, Salah u rindërtua. Në Itali, fillimisht te Fiorentina dhe më pas te Roma, ai ndryshoi profilin e tij si futbollist. Nga një anësor që mbështetej kryesisht te shpejtësia, u shndërrua në një sulmues inteligjent, të ftohtë para portës dhe shumë më të fortë taktikisht.
Kur Liverpool e riktheu në Premier League në vitin 2017, shumë e panë si një bast të rrezikshëm. Por Salah i mbylli dyshimet me një nga sezonet debutuese më të jashtëzakonshme në historinë e kampionatit anglez: 32 gola në Premier League, rekord për një sezon me 38 ndeshje, dhe çmimin e lojtarit më të mirë nga PFA.
Më pas erdhën sukseset e mëdha me Liverpool: Champions League, Botërori i Klubeve dhe titulli historik i Premier League në vitin 2020. Nga “dështimi” i dikurshëm te Chelsea, Salah u kthye në simbol të një epoke të artë për klubin anglez.
Por ndikimi i tij shkoi përtej fushës. Një studim i Universitetit Stanford vuri në dukje se prania e Salah te Liverpool lidhej me rënie të krimeve të urrejtjes në zonë dhe me ulje të ndjeshme të postimeve anti-myslimane nga tifozët e klubit. Festimi i tij me sexhde pas golave, buzëqeshja dhe karizma e tij e kthyen në një figurë që sfidoi paragjykimet dhe afroi kultura.

E vetmja plagë e hapur në karrierën e tij mbetet kombëtarja. Salah e ka çuar Egjiptin në Botëror dhe në finale kontinentale, por shpesh është ndalur në momentin më të dhimbshëm. Për shkak se në vendin e tij shihet si më shumë se një futbollist, çdo eliminim kthehet në dramë kombëtare dhe kritikat bien së pari mbi të.

Megjithatë, një karrierë nuk matet vetëm nga ndeshja e fundit. Hashtagët do të zbehen, komentet do të harrohen, por historia e Salah do të mbetet: djali nga Nagrig që udhëtonte me autobusë për të ndjekur ëndrrën dhe që, vite më vonë, u bë mbreti egjiptian i futbollit botëror.
