
Pas lajmit për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës Bonnie Tyler në moshën 75-vjeçare, aktorja Catherine Zeta-Jones i ka kushtuar një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke zbuluar edhe lidhjen familjare që kishte me artisten.
Ylli i Hollivudit tregoi se Bonnie Tyler ishte e martuar me kushëririn e saj dhe se kishte qenë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së saj. Madje, ajo publikoi edhe një fotografi të realizuar një natë para dasmës, duke kujtuar se këngëtarja kishte performuar në ceremoninë e martesës së saj dhe kishte krijuar një atmosferë të paharrueshme.
Catherine e përshkroi Tyler si një grua të jashtëzakonshme, me një zë unik dhe një sens humori të rrallë, duke shtuar se ajo mund të kishte qenë po aq e suksesshme edhe si komediane.
Në fund të mesazhit të saj, aktorja i shprehu ngushëllimet bashkëshortit të Bonnie Tyler, Robert Sullivan, dhe familjes së saj, duke falënderuar artisten për gëzimin që solli te miliona njerëz përmes muzikës së saj.
“Zemra ime është thyer nga lajmi se e dashura jonë Bonnie Tyler ka ndërruar jetë. Bonnie ishte e martuar me kushëririn tim dhe ka qenë një pjesë kaq e rëndësishme e jetës sime. Kjo është një fotografi e jona, e bërë një natë para dasmës sime. Ajo këndoi dhe e ndezi atmosferën në dasmën time.
Një grua e jashtëzakonshme, me një zë po aq të jashtëzakonshëm. Një artiste unike, e cila fare lehtë mund të ishte bërë edhe komediane, sepse ishte një nga njerëzit më qesharakë që kam njohur ndonjëherë.
Faleminderit, Bonnie, për gëzimin që u solle kaq shumë njerëzve. U prehsh në paqe, zonjë e bukur. Ne do ta këndojmë përgjithmonë ‘Keep A Welcome In The Hillsides’ të Uellsit për ty.
I dërgoj gjithë dashurinë time Robertit dhe familjes. Zoti ju bekoftë. ????????”
Bonnie Tyler, emri i vërtetë i së cilës ishte Gaynor Hopkins, u nda nga jeta në një spital në Portugali, ku po trajtohej pas komplikacioneve shëndetësore dhe një ndërhyrjeje urgjente në zorrë. Ajo do të kujtohet si një nga zërat më të veçantë të muzikës botërore, falë hiteve si “Total Eclipse of the Heart” dhe “It’s a Heartache”.
