Një moment i papritur gjatë një interviste live të Shakirës në Spanjë është kthyer menjëherë në viral në rrjetet sociale.
Këngëtarja kolumbiane ishte e ftuar në programin e njohur spanjoll “La Revuelta”, ku po fliste për projektet e saj të fundit, por vëmendjen e mori një situatë e pazakontë prapa kamerave.
Gjatë intervistës, një telefon i përdorur për emisionin nisi të binte disa herë, duke shkaktuar të qeshura në studio. Moderatori David Broncano dhe stafi i tij nisën të bënin batuta për telefonatën, madje duke sugjeruar që ajo të përgjigjej live.
Por ndërsa biseda vazhdonte, nga cepi i ekranit u shfaq një grua që po zvarritej në dysheme pas Shakirës, me qëllim që të arrinte telefonin pa ndërprerë intervistën. Përpjekja e saj për të mos rënë në sy pati efektin e kundërt, pasi të gjithë e vunë re menjëherë.
Në studio shpërthyen të qeshurat, ndërsa prezantuesit e inkurajuan asistenten të ngrihej në këmbë, në vend që të fshihej pas këngëtares. Shakira, pasi kuptoi çfarë kishte ndodhur, reagoi me shumë sportivitet dhe nisi të qeshte bashkë me të gjithë.
Ajo e prezantoi gruan si asistenten e saj, Diana, e përqafoi dhe bëri shaka duke thënë se ajo është gjithmonë aty për ta ndihmuar. “Dukemi si motra”, u shpreh këngëtarja kolumbiane, duke e kthyer momentin në një nga situatat më të komentuara të emisionit.
Në rrjet, fansat vlerësuan reagimin e Shakirës, duke e cilësuar atë natyrale, të ngrohtë dhe plot humor. Shumë prej tyre komentuan se ky moment tregoi marrëdhënien e afërt që këngëtarja ka me ekipin e saj, si dhe një anë më të çlirët e njerëzore të yllit latin.
