Dielli bie thikë mbi Kanalin e Madh. Pamja e Venecias nga dritaret gotike të apartamentit të Diane von Furstenberg duket magjike. Apartamenti gjendet në katin e parë të një pallati mahnitës, me mure të mbuluara me stuko dhe afreske baroke, ndërsa nga tavanet lëkunden llambadarë gjigantë prej qelqi Murano. Çdo dhomë është e mobiluar me vepra të Pierre Paulin dhe Frank Gehry, ndërsa nga një derë gjysmë e hapur, dallohen një seri grafikash të Warhol.
Marc Jacobs hyn në holl dhe një detaj tërheq menjëherë vëmendjen: thonj me manikyr të zi dhe blu të dekoruar me kristale. Për katër dekada, ai ka krijuar një stil unik në botën e modës, duke u kthyer në një brand dhe biznes fitimprurës, që e bëjnë stilistin 62-vjeçar, ndër njerëzit më të pasur me një portofol 200 milionë dollarë. Pas 40 vitesh karrierë, dikush mund të pyesë, brenda këtij triptiku, cili është Marc Jacobs?
Ai e ka të lehtë të përgjigjet, duke kujtuar se gjithçka nisi nga ai djaloshi 15-vjeçar, i cili i fiksuar pas modës, nisi rrugëtimin fillimisht në butikun "Charivari" të viteve '80 në Manhattan. Pasi u diplomua nga Shkolla e Dizajnit Parsons në vitin 1984, ai u punësua menjëherë nga burri që do të bëhej partneri i tij në biznes prej kohësh, Robert Duffy. Një dyshe e cila themeloi po atë vit markën Marc Jacobs.
Evolucioni i Jacobs gjithmonë është nxitur nga një kuriozitet i pangopur drejt transformimit dhe rishpikjes, ndaj nuk e mohon se ky ka qenë gjithmonë esenca e karrierës së tij. Shpesh ai lidhet emocionalisht me modën e papërpunuar dhe të sinqertë e cila përkthehet në dizajnet e tij, duke krijuar veshje dhe aksesorë që kanë të bëjnë me një ide ose që evokojnë një ndjenjë apo një vend. Por, sado instinktiv që ka qenë procesi i dizajnit të Jacobs, nga ana tjetër gjithë karriera e tij është një libër strategjish në industrinë e modës.
Përtej markës me emrin e tij, Jacobs vazhdoi të punonte për të tjerë, së pari për Perry Ellis dhe më pas pranë Louis Vuitton, një eksperiencë që ai e quan si xhevahirin e kurorës së tij, pasi ishte amerikani i parë që drejtoi një markë luksoze franceze. Ashtu si John Galliano te Dior, figura e Marc Jacobs pranë LVMH Fashion Group u konsiderua si një rrezik, pasi gjithnjë ka pasur një paragjykim të stilistëve francezë karshi atyre amerikanë dhe qasjes së tyre në botën e modës. Por rreziku ia vlejti; zgjedhja e stilistëve nga markat e pavarura, arriti të diversifikojë markat tradicionale të modës evropiane drejt trendeve "ready to wear". Suksesi i identifikoi sakaj Jacobs me ndryshime, siç ishte modifikimi i monogramit klasik LV apo krijimin e aksesorëve revolucionarë, si çanta Sprouse Speedy, që konsiderohet si "Graal" më i lakmuar duke vendosur një standard të ri për markën luksoze.
Tipar dallues i Jacobs është dimensioni fashion dhe komercial, i frymëzuar nga bota e kinematografisë dhe muzikës, duke ftuar në fushatat e tij publicitare personazhe të cilët u kthyen në imazh për markat e modës, çka nxiti ndërtimin e strategjive të reja të marketingut. "Disa prej personazheve VIP kanë qenë imazhe komerciale mjaft dominues, sepse janë figura të cilat kanë ndikim në marketing. Po ashtu, shumë prej tyre janë një busull orientimi sepse imazhi lidhet me brand-e të caktuara", shpjegon Jacobs. Në sfilatat e modës së Jacobs ka evoluar dukshëm elementi teatral, duke ndikuar dukshëm në kulturën pop.
Ndaj shpesh në rrafshin e rishpikjes, Jacobs ka revolucionarizuar elemente të modës, nga jakat e buta të rrumbullakosura te bluzat me bel të prerë të ndikuara nga stili i viteve '60. Momenti që e ktheu atë në qendër të vëmendjes dhe para një audience në rritje pas personazheve të famshëm, ndodhi në vitin 2005, kur çanta e tij Stam, u shfaq në duart e modeles Jessica Stam, e pastaj emra si Lindsay Lohan dhe Beyoncé u shfaqën krah stilistit, duke e mbështetur hapur krijimtarinë e tij. Tre vjet më pas, Miley Cyrus, Kendall Jenner, Victoria Beckham dhe Lady Gaga debutuan në pasarelën e Jacobs duke e mbështetur hapur krijimtarinë e tij. Ndikimi u vu re aq shumë sa nisi të kthehej në një personazh që u bë pjesë edhe i serialit "Simpsons".
Përtej famës dhe suksesit, jeta private dhe varësia ndaj lëndëve narkotike shpesh e kanë kthyer në qendër të vëmendjes mediatike. "Mbaj mend që kur disa media shkruan për mua gjëra shumë të dhimbshme, u trishtova shumë. Problemet me varësinë dhe periudha në qendrat e rehabilitimit ishte një çast reflektimi, duke paguar çmimin e veprimeve të mia", pohon stilisti. Ashtu si në fillimet e tij, moda ishte vendi ku gjeti shpëtim. "Në këtë kohë të gjithë miqtë ishin të shqetësuar, por unë mbijetova dhe moda ishte absolutisht ajo që më shpëtoi. Jam me fat që jetoj në një univers kaq të bukur dhe krijues prej 40 vjetësh".
Përpos sfidave që ka kaluar për 40 vjet, ajo që e bën Jacobs të ndihet ende i gjallë në botën e modës, por njëkohësisht edhe të pangopur, pasionant dhe krijues si në ditën e parë, lidhet me rishpikjen e gjithçkaje. Kjo u tregua qartazi në koleksionin Pranverë 2025, ku ai arriti t'i shndërronte disa nga veshjet e krijuara 10 vite më parë në një tjetër dimension, duke konfirmuar se stilisti vijon ende të jetë i frymëzuar për të realizuar projekte të paparashikuara. Që nga viti 2016, Marc Jacobs i ka bashkangjitur hashtagun #gratefulnothateful pothuajse të gjitha postimeve të tij në Instagram - një kujtesë për të përqafuar pozitivitetin para së gjithash.
Tani, në vend që të shkruajë fjalë të këqija, Jacobs dëshiron të përqendrohet vetëm te gjërat e mira. "E kontrolloj veten dhe mendoj: Ji mirënjohës që ke miqtë e mirë. Ji mirënjohës që ha mirë dhe që i sheh këto gjëra që janë pjesë e jetës tënde", thotë ai. 40 vitet e karrierës së tij kanë transformuar botën dhe vetë stilistin, ndaj Jacobs ndihet i lumtur që për katër dekada ka lënë gjurmën e tij - jo thjesht duke krijuar veshje dhe aksesorë, por duke i konsideruar ato vepra arti të cilat kanë dhuruar emocione te njerëzit, energji pozitive dhe një univers të mbush
