Aktori vjen në një reflektim të thellë mes skenës dhe vetes
Ka aktorë që luajnë thjesht role, por edhe nga ata që i jetojnë ato deri në skaj. Igli Zarka është nga ata artistë që nuk i qaset skenës thjesht si profesion, por si një proces transformimi i vazhdueshëm, ku çdo personazh lë gjurmë jo vetëm te publiku, por edhe te vetë ai. Nga rolet që kanë thyer tabu e deri tek izolimi total për t’u zhytur në psikologjinë e personazhit, ai rrëfen pa filtra sakrificat, boshllëkun pas skenës, raportin me famën dhe kërkimin e vazhdueshëm për të mos humbur veten mes roleve. Në këtë intervistë, aktori Igli Zarka zbulon një anë më personale të jetës si aktor.
Igli, cila ka qenë shfaqja më e madhe dhe më domethënëse për ty deri tani dhe pse?
Çdo projekt që kam bërë ka qenë projekt i madh në sensin i rëndësishëm për mua si individ, për rritjen time si artist, si aktor. Kështu që nuk do të veçoja diçka sepse çdo projekt është një shkollë më vete, njeh njerëz të rinj dhe regjisorë të ndryshëm që të formojnë ndryshe.
Po eksperienca që të ka bërë më shumë të njohur?
E para që shpërtheu ishte “Ekus”, ka qenë periudha ku të gjitha mediat e morën “u thye një tabu”.
Pse u quajt “thyerje tabush”?
Në Europë ajo nuk quhej thyerje tabush. Të dalësh lakuriq këtu u konsiderua si një event historik që kishte ndodhur, gjë që nuk jam dakord. Të gjithë më kanë pyetur pse? Personazhi dilte para Zotit dhe “kishte një marrëdhënie erotike me kuajt”, ai zhvishej lakuriq duke kalëruar. Regjisori vendosi të më nxjerrë lakuriq të lidhur në një kryq, duke krijuar një simbiozë, një paralelizëm midis Zotit dhe kalit si një racë e pastër.
A e kishe të vështirë që ta pranoje atë rol? Mendove për paragjykimet?
Jo, nuk e dyshova për asnjë sekondë. Kisha një vit që punoja për audicionin dhe në momentin që regjisori më ka thirrur me koreografin, jemi ulur dhe sa jemi takuar më tha: “Urime, e fitove audicionin!”. E dyta pyetje ishte, a e ke problem të dalësh lakuriq? Nuk e kam konsideruar fare sepse roli ishte aq i madh, aq i fortë, aq intens, sa lakuriqësia ishte një gjë shumë e vogël, pavarësisht se çdo njeri që erdhi u mor dhe me atë pjesë. Lakuriqësia nuk ishte ai thelbi i shfaqjes.
Çfarë ke mësuar më shumë nga teatri që nuk e ke mësuar nga asnjë përvojë tjetër?
Si të jem njeri i mirë.

A ka pasur ndonjë rol që të ka ndryshuar edhe si njeri?
Çdo rol që kam pasur më ka ndryshuar në etapa të caktuara. Në 2019 mu dha mundësia të luaja At Sergin nga Tolstoi, të dramatizuar në një vepër teatrale dhe për nëntë muaj rresht për herë të parë në jetë mbajta një lloj regjimi, ku vendosa të mos kisha asnjë lloj kontakti me një qenie tjetër njerëzore, të mos konsumoja alkool. U izolova nëntë muaj rresht dhe në fund të atij nëntëmujori kam rrezikuar, pasi për pak kam prerë gishtin në skenë pa dashje, më shpëtoi sëpata që çaja dru. Në fund të atij procesi kam kuptuar se sa e vështirë është të sublimosh veten, ta ndrydhësh deri në pikën më maksimale për të mohuar çdo kënaqësi që na ofron shoqëria, për t'ia dedikuar këtë lloj sublimimi Zotit. Ky ka qenë një rol që ka ndikuar shumë.
A ka qenë kjo qenë sakrifica më e madhe që ke bërë për një rol?
Puna e aktorit është shumë e vështirë, do sakrifica. Profesori im ditën e parë na ka pyetur; “E keni menduar mirë që jeni këtu?”. Sakrificë e quaj të çohesh në orën 8:00 të mëngjesit dhe të shkosh në punë të rënda, kurse puna ime është si një pasion. Sigurisht ka sakrifica, por nuk mund t'i quash të tilla deri në deri në pikën që unë nuk e quaj të tillë. E shijoj shumë çdo gjë që bëj në punën time. Me pasionin vjen edhe shpërblimi.
A mendon se është një profesion i vlerësuar mjaftueshëm?
Mjaftueshëm jo, sidomos në Shqipëri, por gjërat kanë ndryshuar në gati 12 vjet që jam në treg. Në këtë moment gjërat po hapen. Për mua dikur ishte e pakonceptueshme që të shkoja të xhiroja një film në Austri, në Zvicër apo në Serbi. Dikush më ka thënë, duhet të shmangësh titullin artist lokal, nëse ngelesh ashtu, aty mbaron. Aty krijimtaria jote përfundon, vjen një moment që shteron çdo gjë, shteron imagjinata, nuk di çfarë të krijosh, por përsërit veten.
A ka ndonjë rol që të ka lënë bosh pas mbarimit të tij?
Kur kam mbaruar filmin “Kazerma” dhe shkova anës së detit, nuk dija çfarë të bëja. Më dukej vetja sikur sa kisha lindur dhe çdo gjë po e shijoja si për herë të parë, gurët e detit, aromën, erën, të gjitha. Ndjeja një boshllëk që nuk po dija si ta mbushja. Për ironi po shikoja një intervistë të një aktori amerikan që thoshte, problemi im më i madh nuk është kur xhiroj, por kur mbaroj. Pra, ky boshllëk i ndodhka të gjithëve.
Kush të ka kritikuar më ashpër dhe në atë moment ta kesh urryer?
Nuk kam urryer askënd që më ka kritikuar. Kritika gjithmonë të bën mirë, sepse në fund të ditës njeriu zgjedh të pranojë atë që zgjedh. Kadri Roshi ka thënë: edhe fëmijës dëgjoja fjalën, sepse ndonjëherë mund të japë një mendim që s'e ke menduar kurrë.
Ku ndihesh më mirë në televizion, kinema, teatër?
Teatri është art i gjallë, aty e ndjen çdo emocion në sekondë, ndjen frymëmarrjen e publikut, si po të ndjek. Të jem i sinqertë, nuk jam fans i madh i televizionit, sepse kërkon të jesh një lloj njeriu që unë nuk jam.
Cili profesor ose mentor ka ndikuar më shumë gjatë studimeve?
Ai që më ka formuar ka qenë profesor Timo Flloko, profesor Gaz Gjoka, zysh Ema Andrea. Këta janë tre emrat e parë që ngjizën tek unë se ç’do të thotë ky profesion.
Cili është aktori yt i preferuar shqiptar dhe i huaj?
Për shqiptar nuk mund ta them, sepse ka konflikt interesi po të thuash emrin e njërit, i ngelet hatri tjetrit. Nga të huajt, Daniel De Luis, Heith Leger dhe Joakim Phoenix.
Karrierën e cilit aktor do të doje të kishe si model?
Daniel De Luis.
Shpesh thuhet që aktorët luajnë role edhe në jetën reale. Sa e vërtetë është kjo për ty?
Për mua nuk është e vërtetë. Të gjithë në këtë zanat nga roli në rol, hap pas hapi, vit pas viti fillojnë të harrojnë ‘veten’, aq më tepër kur punojnë shumë. Ndaj emra si Daniel Day Louis merr një rol në katër vjet, tre vite punon për atë dhe harron veten, familjen, gruan e fëmijët, derisa e mbaron atë film. Ky është një nga problemet që ky zanat ka. Jo kriza e identitetit, por vjen një moment që ti ke nevojë të kthehesh te vetja, të kujtosh kush je pa këtë zanat. Do të thoja të kthehesh me këmbë në tokë.
Ka pasur ndonjë moment që je vënë në siklet në skenë?
Në 2019 isha pjesë e shfaqjes “Galaksia” me regji të Rovena Lules. Olta Daku luante Galaksian dhe para premierës isha mbas perdes dhe harrova tekstin, çdo gjë, çdo fjalë. E dija ku duhet të shkoja, e dija lëvizjen, por thjesht mu fshi. Ishte hera e parë dhe po dridhesha. Salla ishte plotë, të gjithë kishin pritshmëri të mëdha për këtë shfaqje dhe sa kam dalë në skenë u ndez një llamë, më kujtua teksti.
A ka një person të veçantë që të ndjek çdo shfaqje?
Prindërit janë në çdo shfaqje që unë kam qenë apo premierë filmi. Tek ‘Ekus’ kanë ardhur gati në çdo shfaqje. Për mendimin tim, fëmija arrin një kulminacion të lumturisë personale në momentin që prindërit ndihen krenarë për të.
Cila është një ëndërr që ende nuk e ke realizuar si aktor?
Janë disa role ikonike, por unë do të doja të testoja veten në rolin e një personi me aftësi të kufizuara fizike. Kjo do të ishte një nga sfidat e mëdha për mua.
