Nada Biraçi/ Fotografia: Fani Aliko
Ata janë pesë, ku secili prej tyre e di mirë rolin në ‘ekip’, duke formuar superskuadrën Jupi
“Rastësia mbret i botës”; kështu do të qe zanafilla e njohjes së tyre 11 vite më parë, kur ai një prej futbollistëve më simpatikë e më të dëshiruar nga vajzat në Shqipëri, e ajo studentja e kthyer nga Franca për të kaluar pushimet e verës, as që e kishte idenë se cili ishte Redi Jupi, sykaltri pas së cilit ishin marrosur pothuajse të gjitha shoqet e saj…
Një prezantim i rastësishëm do të mjaftonte që Redi Jupi dhe Vivian Petrela të bëheshin bashkë, për të krijuar mandej superskuadrën e tyre, që sot ka pesë lojtarë, ku më të rëndësishmit janë ata, Paris, Jakob e Eliot…
Redi Jupi fëmijë, çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Nuk kam qenë me tableta nëpër duar, por ama kam marrë shumë afeksion dhe kujdes nga prindërit e mi. Mundohem me gjithë energjitë e mia që fëmijëve të mi t’i plotësoj afeksionin dhe vëmendjen që ata kanë nevojë, në mënyrë që edhe ata të kenë një fëmijëri të lumtur dhe të plotë siç unë e kam patur. Kam patur një fëmijëri të bukur dhe të plotësuar në çdo aspekt. Kanë qenë kohë të vështira, varfëri e madhe, por ky aspekt nuk ka lënë shenja për fat të mire. E kujtoj çdo moment me pozitivitet.
Si e keni krijuar marrëdhënien me fëmijët tuaj?
Shumë vëmendje, i butë atëherë kur duhet dhe shumë rrallë, për të mos thënë kurrë, i rreptë. Nuk kam as shkak të jem i rreptë në fakt, ata janë të mrekullueshëm. Merrem shumë me ta. E kam kënaqësi shumë të madhe këtë pjesë dhe dëfrehemi shumë bashkë. I asistoj edhe në nevojat e tyre apo detyrat e shkollës gjatë kohës që jam prezent në shtëpi. Qejfi më i madh është të luajmë bashkë.
Po ju si e keni pasur raportin me babain, a ju ndodh të shihni babain tuaj tek Redi sot baba?
Kanë qenë kohë të tjera dhe konceptohej ndryshe roli i prindit. Babai im ka qenë një profesionist i mirë që punonte shumë, që na plotësonte çdo nevojë që ne kishim në ato kohë të vështira kur nuk kishte asgje. Prezent kur duhej dhe mbështetës në të gjitha hapat që kam hedhur. Por njëkohësisht më ka lënë edhe të lirë të rritesha siç duhet dhe me parimet e duhura. Nuk di të them nëse kam ndonjë ndryshim nga babai im në raportin me fëmijët, kur ata të rriten atëherë do kuptoj më tepër. Për momentin po shijoj fëmijërinë e tyre. Prindërit e mi janë njerëz shumë korrektë dhe të ndershëm, në ekstrem. Më dukej e tepruar nganjëherë korrektësia e tyre dhe rregulli në çdo gjë. Sot e adhuroj këtë aspekt.
Çfarë do të donit t’ju sillnit dhe fëmijëve tuaj, nga koha e vegjëlisë tuaj?
Mendoj se ja kam sjellë. Ne jemi rritur në ambiente të shëndetshme, në natyrë, në mes të lojrave dhe të njerëzve. Edhe pse në kohët e sotme është vështirë të stimulosh një ambient të tillë, ja kemi krijuar fëmijëve këtë mundësi nëpërmjet kompleksit sportiv që kemi ngritur në rrethinat e Tiranës, midis pemëve dhe gjelbërimit.
Fakti që keni qenë i përfshirë me futbollin që kur ishit i vogël ka pasur disa privilegje, cilat ishin ato?
Privilegji më i madh është që jam rritur i shëndetshëm dhe jam marrë me atë gjë që kisha pasion dhe ëndërr.
Objekti më i dashur për djemtë asokohe ishte topi i futbollit, që jo të gjithë e kishin një të tillë, ndërsa ju e kishit pjesë të sportit tuaj…?
Jo të gjithë e kishim nga një top, por pa top nuk ngeleshim. Edhe kur nuk kishte fare top të mirëfilltë, gjenim alternativa për ta zëvendësuar (qesh).
A mund të na kujtoni ndonjë çapkënllëk të moshës?
Shumë, çdo ditë : Xhama të thyer dhe dëme të vogla pa të cilat nuk mund të kuptohej loja nëpër rrugicat e lagjes.
Jeni një familje relativisht e madhe, krahasuar me ato të kohëve moderne, kush kujdeset më shumë për fëmijët?
Patjetër që Vivi ka peshën më të madhe në menaxhimin e kohës dhe nevojave të fëmijëve, por unë mundohem të jem sa më afër tyre, të jem prezent në gjërat që ata bëjnë, të shpenzoj sa më shumë kohë cilësore me ta. Këtë gjë e bëj me shumë qejf në fakt.
Çfarë talentesh kanë fëmijët e Redi Jupit?
Janë akoma shumë të vegjël për ta përcaktuar dhe janë ende duke zbuluar botën. Edhe pse talenti për çdo fushë është 90 për qind punë dhe 10 për qind pasion. Pasion kanë kitarën, futbollin, pikturën e ka më shumë qejf Parisi.
Do ju pëlqente që ndonjëri nga djemtë të bëhej futbollist?
Nuk kam asnjë dëshirë për ta përveç se të bëhen njerëz të plotësuar dhe të lumtur, çfarëdo profesioni të kenë apo drejtimi të marrin. Ndikimi im është në drejtim të edukimit dhe formimit të tyre. Aty po, do insistoj çdo ditë dhe çdo moment.
A luani shpesh futboll bashkë, jeni një skuadër kalçetoje?
Luajmë sa here jemi në fushë bashkë. Ata janë të përfshirë edhe në ekipet e shkollës së futbollit që ne kemi hapur “Football Republic”, kështu që koha e lojës është thuajse e plotësuar.
A jeni një baba që gatuan, mban fëmijët, bën blerjet, kur Vivi nuk është në shtëpi?
I bëj të gjitha përveç gatimit. Nuk di, e kam defekt këtë pjesë në fakt. Të tjerat i bëj shumë mirë dhe me shumë qejf.
Si profesionist i futbollit; si është realiteti në Shqipëri për të rinjtë që kanë pasion këtë sport. Sa optimist jeni?
Realiteti është problematik por ka filluar të përmirësohet. Është punuar keq dhe pak në këto vite për futbollin e të rinjve. Shpresoj shumë që të ketë filluar një erë ndryshimi sepse kemi humbur shumë kohë dhe shumë breza të shkuar dëm, të cilët ose nuk janë afruar fare tek futbolli ose janë trajnuar keq dhe në kushte skandaloze. Me krenari e them që kemi ngritur një kompleks që do e kishin zili edhe klube të mëdha të nivelit europian, dhe niveli i trajnimit dhe shërbimit sportiv është shumë i lartë. Shpresoj që gjërat të fillojnë të lëvizin në sensin e duhur, por në futboll duhet durim dhe shumë punë për të parë rezultatet e para.
Cili ka qenë momenti që ju ka bërë më shumë krenar në karrierën tuaj?
Kanë qenë disa por mund të veçoj titullin kampion me Dinamon në 2002, veshja për herë të parë e fanellës së ekipit kombëtar si edhe shpallja lojtari më i mirë i huaj në historinë e Diyarbakirspor (klubi turk ku luajta nga 2003-2006) në vitin 2006 dhe padiskutim realizimi i endrrës dhe projektit për të cilin kam punuar këto 10 vitet e fundit që quhet “Football Republic”.
A e ndjeni si ‘detyrim’ kontributin tuaj për këtë sport në vendin tonë?
E ndiej dhe besoj se e kam kthyer me investimin në kompleksin që kam bërë. Gjithsesi puna vazhdon në këtë drejtim dhe besoj se nuk mbaron kurrë. Ka shumë për të bërë.
Ju prej kohësh jeni impenjuar me talentet, a kemi një brez që po investon në futboll?
Talentet formohen dhe nuk lindin nga hiçi. Pas çdo lojtari të mirë ka mbrapa një punë të madhe nga ai vetë por edhe profesionistët që janë marrë me të. Talente të mirfilltë në fakt kemi pak, por lojtarë që nëpërmjet punës mund të bëhen të rëndësishëm në këtë fushë kemi plot. Pra, sa më shumë punë dhe në drejtimin e duhur e me metodat e duhura, nuk ka recetë tjetër.
Gjithnjë keni një pamje të kuruar, a mund ta dimë kush kujdeset për të?
Të falenderoj. Merrem vete, pyes Vivin, kam fatin që e kam me shije të rafinuara (qesh)
Një futbollist i cili që në krye të herës ka dalluar për stilin, cila është veshja për të cilën nuk keni pasur kurrë dyshime që ju plotëson pamjen?
Xhinse dhe këmishë, edhe ajo xhins mundësisht!