Drejtori ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla, në një nga mbledhjet që është organizuar ditën e enjte ka deklaruar se një dozë vaksine e tretë do të jetë e nevojshme 6 muaj pasi dikush ka marrë 2 dozat e para, dhe më pas njerëzit do të vaksinohen çdo vit.
“Ka vaksina që janë si poliomieliti që mjafton një dozë, por ka dhe vaksina si gripi që nevojiten çdo vit”, tha ai. Më tej, drejtori ekzekutiv i Pfizer ka shtuar se Covid-19 më shumë duket si virus gripi sesa si virusi i poliomielitit. Provat klinike treguan se vaksina Pfizer ishte më shumë se 90% efektive në parandalimin e COVID-19 gjashtë muaj pas dozës së dytë. Sidoqoftë, nevojiten më shumë të dhëna për të përcaktuar nëse mbrojtja zgjat më shumë se gjashtë muaj.
Pfizer dhe partneri i tij gjerman BioNTech filluan studimin e një doze të tretë të vaksinës së tyre në fund të shkurtit. Rreth 144 vullnetarëve do t’u jepet doza e tretë, kryesisht ata që morën pjesë në testimin e hershëm të vaksinës në SHBA vitin e kaluar.



















