KreuBusull

Kejdi: A star is born!

Fotografia: Merlin Kazia 

Në një nga muzeumet më të fashme në botë, në Galeria Uffizi gjithkush i apasionuar pas artit joshet nga “Lindja e Venerës” një pikturë e artistit italian Sandro Botticelli që mendohet se është realizuar në vitin 1480. Në pikturën e famshme tregohet perëndesha e dashurisë dhe bukurisë Venera teksa qëndron mbi një guaskë gjigande, e pastër dhe e përsosur si një perlë…Kur këngëtarja Sheila Haxhiraj kontaktoi fashion designer Kejdi Biraçi për t’i treguar se në Kënga Magjike do të dëshironte një veshje që ka të bëjë me detin, perlat, guaskat…artistja e re e dizajnit mendoi menjëherë pikturën e famshme të Botticellit, “The birth of Venus”….

E apasionuar pas mitologjisë dhe ikonografisë, për dizajneren veshja e Sheilës nuk do të mund të kishte emërtim tjetër… Pavarësisht se piktura ka kuptime hyjnore dhe mitologjike, ajo u pa si një pjesë e diskutueshme e artit për dekada. Venera është portretizuar nudo që bie ndesh me artin konservator të mesjetës dhe me vlerat e krishtera. Në fakt njëjtë ndodhi edhe me veshjen e Sheilës për të cilën njerëzit u ndanë në dy fronte; ata që e dashuruan dhe ata që e urryen…Komente për të cilat stilistja Kejdi Biraçi ishte mëse e përgatitur…

Veshja e këngëtares Sheila Haxhiraj në ‘Kënga Magjike’ ishte një ndër më të komentuarat. Si u ndjeve?

E pritshme! Prisja ta dashuronin ose ta urrenin, siç edhe ndodhi.

Si ishte të punoje me Sheilën? Si lindi ky bashkëpunim?

Sheila ka qenë në kërkim të personave të rinj për këtë projekt, që të sillte një frymë të re edhe në paraqitje.  Kështu i ranë në sy punët e mia të mëparshme dhe më kontaktoi. Gjithë procesi i bashkëpunimit ka qenë shumë i lehtë me Sheilën, duke qenë se ajo të jep lirinë e kreativitetit pa u kufizuar dhe në fund i bën një prezantim të denjë punës tënde. Që në fillim deri në përfundim të projektit jam ndjerë shumë e vlerësuar.

Cila prej veshjeve të tjera në KM të pëlqeu? Po më pak?

Në prapaskenën e ‘Këngës Magjike’ kishte kaq shumë xixa e fustane mbrëmjesh, sa mua më bënte përshtypje gjithçka që ishte sa më larg “glam”-it. Konkretisht, palltoja e kuqe e Marsela Çibukaj që ngjante deri diku me një robdishan bashkë dhe me flokët e lagura, më tërhoqi. Pjesa tjetër e veshjeve që i shohim në çdo event, nuk është se më bënin ta ktheja kokën dy herë.

E ke quajtur këtë krijim ‘Venus’…

Sheila erdhi me konceptin e përgjithshëm të detit, oqeanit, apo botës nënujore, që kishte dhe në daljen e saj të parë me këngën “Mall”. Një nga figurat mitologjike që më tërheq më shumë dhe ka lidhje me detin është “Lindja e Veneres” (“Birth of Venus”) e interpretuar në çdo formë arti nga artistë të ndryshëm, ku më e famshme është piktura e Sandro Botticelli me të njëjtin titull. Gjithë veshja është një interpretim i asaj skene dhe në rastin tim Venusi ishte Sheila, prandaj i dhashë atë emër.

Në ç’mënyrë ishte konceptuar ajo veshje?  A mund të ndash me ne detaje nga procesi i punës gjatë krijimit te “Venus”. Çfarë materialesh janë përdorur? Sa kohë të është dashur për ta krijuar?

Çdo detaj ka një kuptim ose referencë të vetën. Silueta eshte ajo e Venerës në pikturën e Botticellit, në rastin tim pjesën e flokëve e zë guacka dhe duart me të cilat Venera mbulon një anë të trupit janë fustani, duke lënë një anë zbuluar. Domethënë gjoksi i ekspozuar nuk ishte diçka e rastësishme si tentativë për të marrë vemendje, apo për t’u komentuar. Fustanin në vetvete e kam trajtuar në teksturen e pjesës së brendshme të midhjes, realizuar me silikon për t’i dhënë një efekt të ngjashëm. Mënyra se si midhja, si pasojë e një dëmtimi apo paraziti që vjen nga jashtë, krijon perlat në brendësi kishte një lidhje interesante dhe me këngën. Kam kaluar një muaj duke punuar me “Venus”, pa llogaritur kohën e kërkimit dhe kompletimit të konceptit.

Je ende në fillim të karrierës tënde si ‘fashion designer’, çfarë qasje ke ti ndaj një kritike?

Në varësi të kritikuesit, jam shumë e hapur ta marr parasysh. Mund të jetë diçka që nuk e kam vënë re më parë ose që nuk jam mjaftueshëm e informuar dhe një kritikë mund të më shkurtojë punë për të rregulluar diçka.

Ti spikate edhe në garën e stilistëve të rinj ‘Muza Competition’ ku ishe në dhjetëshen e finalistëve. A ke ti një muzë? Çfarë e frymëzon një dizajnere të re si Kejdi?

Kam një muzë të re për çdo projekt. Muza e koleksionit tek konkursi ishte “Hyjnesha në fron”. Mundohem t’i marr  dhe trajtoj temat që zgjedh që në gjenezë kur studioj diçka, prandaj muzat e mia lidhen shpesh me historinë, mitologjinë, natyrën, pikturat, filmat apo dhe personazhe me jetën e tyre. Nuk mundohem të kërkoj gjithmonë një muzë për të bërë diçka, gjatë procesit lind vetë.

Nëse do të të ofrohej mundësia për të krijuar një koleksion; çfarë teme do të vendosje?

Ikonografia.  Do të doja të sillja në versionin tim Shën Mërinë, ta bëj Madonën me një gjoks të ekspozuar, meqë Rozafën dhe Venusin i bëra.

Botuar në BORDO, Dhjetor – Janar 2023

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF