Me zërin e saj të fuqishëm dhe prezencën e jashtëzakonshme skenike, Celine Dion pushtoi zemrat e publikut, duke mbërritur shpejt majat e famës botërore. Por këngëtarja legjendare nuk arriti ta shijonte suksesin në masën që e meritonte. Jeta e saj u shënjua nga triumfe profesionale, por edhe nga tragjedi të mëdha personale që lanë përgjithmonë gjurmën e vet.
Së fundi, Celine pohoi se po lufton me një çrregullim të rrallë neurologjik, sindromën e njeriut të ngurtë, (Stiff Person Syndrome-SPS), për shkak të të cilit ajo u detyrua, pas këshillave të mjekëve të saj, të anulonte turneun europian të planifikuar për vitin 2023. Një test tjetër i vështirë ky me të cilin e përball jeta intepretuesen e famshme, që i dhuroi diskografisë ndërkombëtare shumë hite të shkëlqyera duke përfshirë këngët “All by Myself”, “That’s the Way It Is”, ‘Just Walk Away’, ‘The Power Of Love’, ‘A New Day Has Come’ dhe sigurisht kënga e Titanik ‘My Heart Will Go On’, një nga baladat më të përjetshme të të gjitha kohërave.Më e vogla nga 14 fëmijët në familjen e saj, Celine, e cila mori emrin e saj nga kënga me të njëjtin emër e këngëtarit francez Hugues Aufray, iu desh të përballej me beteja që në moshë të re.Në familjen e saj të madhe nuk kishte as një krevat bebesh, duke e bërë atë të flerë, për mjaft kohë, brenda një sirtari të madh! Në vitet e adoleshencës, për shkak të gjatësisë së saj dhe dhëmbëve të shtrembër ajo bullizohej nga shokët e klasës.
Ajo ishte vetëm 12 vjeç kur kompozoi dhe interpretoi këngën e saj të parë, së bashku me nënën dhe të vëllain, të cilët pak më vonë ia dërguan atë producentit të njohur muzikor dhe “gjuetarit” të talenteve të reja René Angelil. Edhe pse ai ishte plot 25 vjet më i madh se ajo, Celine u dashurua pas tij që në momentin e parë që e pa. Mes mosmarrëveshjeve të forta me familjen e saj që nuk e aprovonin lidhjen, lidhja u zyrtarizua me një martesë kur mbushi 25-vjeçe.
Por vështirësitë nuk vonuan të shfaqeshin edhe në mesin e lumturisë së gjetur në cift. Celine pati vështirësi të bëhej nënë. Pas disa aborteve, vendosi t’i nënshtrohej dy operacioneve gjinekologjike në vitin 2000 për t’ia dalë mbanë. Fëmija i parë i çiftit, Rene-Charles Angelil, më në fund erdhi në jetën e tyre në janar 2001 dhe në 2010 çifti mirëpritën binjakët, Eddie dhe Nelson.
Në vitin 1991, në moshën 49-vjeçare, i shoqi pësoi një atak në zemër dhe në vitin 1999 u diagnostikua me kancer në fyt, i cili u trajtua me sukses, por më vonë u kthye përsëri. Angelil ndërroi jetë në janar 2016 duke lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre. Vetëm dy ditë më vonë drama e saj personale kulmoi me vdekjen e të vëllait, Daniel, i cili gjithashtu vuante nga kanceri.



















