
Në rrjetet sociale është bërë viral një grup i pazakontë, ku janë mbledhur burra nga vende të ndryshme të botës që kanë një tipar të përbashkët: ngjashmërinë e habitshme me aktorin Adam Sandler.
Anëtarët e grupit publikojnë vazhdimisht foto dhe histori gazmore nga përditshmëria, duke rrëfyer se shpesh njerëzit i ndalojnë në rrugë, u kërkojnë fotografi ose i përshëndesin, duke menduar se kanë përballë yllin e Hollywood-it.
Mes tyre ka persona me profesione dhe jetë krejt të ndryshme – nga mjekë e prindër, te tifozë sporti dhe punonjës të zakonshëm – por të gjithë kanë pamjen karakteristike që i kujton njerëzve Adam Sandlerin.
Një pjesë e mirë e tyre madje zgjedhin edhe stilin e veshjes tipik të aktorit, me bluza të gjera, pantallona sportive dhe një paraqitje të thjeshtë, duke e bërë ngjashmërinë edhe më bindëse.
Komuniteti, i cili u bë viral që në krijimin e tij, sot ka mbledhur qindra mijëra anëtarë dhe vazhdon të rritet. Fotot e publikuara aty shpesh bëhen virale, ndërsa përdoruesit bëjnë shaka se, nëse çdo njeri ka disa sozi në botë, Adam Sandler duket se ka një numër të pafund.
