David Beckham nuk arriti t’i përmbante emocionet pas humbjes dramatike të Anglisë ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.
Ish-kapiteni i “Tre Luanëve” e ndoqi ndeshjen nga tribuna e stadiumit në Atlanta, së bashku me bashkëshorten e tij, Victoria Beckham, dhe pjesëtarë të familjes. Pas përmbysjes së rezultatit nga Argjentina dhe vërshëllimës përfundimtare, Beckham u shfaq dukshëm i përlotur dhe me kokën mes duarve.

Victoria i qëndroi menjëherë pranë, duke e përqafuar dhe mbështetur kokën mbi shpatullën e tij, ndërsa ish-futbollisti vazhdonte të shihte drejt fushës, i tronditur nga eliminimi i kombëtares së tij.
Edhe djali i tij, Cruz Beckham, u pa duke e përqafuar të atin pas përfundimit të takimit. Pamjet prekëse nga tribuna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke treguar se sa shumë e përjetoi legjenda angleze humbjen 2-1.

Pak më vonë, Beckham reagoi edhe në Instagram, ku publikoi fotografi të futbollistëve të Anglisë përpara tifozëve.
“Zemërthyer për të gjithë ne, por kujtime që frymëzojnë dhe do të zgjasin përgjithmonë. Faleminderit ekipit tonë, tifozëve dhe vendit tonë për gjithçka që na dhuruat në këtë Kupë Bote”, shkroi ai.
Humbja i dha fund ëndrrës së Anglisë për të arritur finalen e parë të Kupës së Botës që prej vitit 1966, ndërsa Argjentina siguroi përballjen me Spanjën në finalen e madhe.
