KreuCelebrity

Madonna rikthehet në majën e muzikës: “Doja ta bëja botën të kërcente këtë verë”

Madonna rikthehet në majën e muzikës: “Doja ta bëja
Madonna ka shënuar një tjetër moment historik në karrierën e saj, duke u rikthyer në krye të klasifikimeve muzikore amerikane me albumin e ri “Confessions II”.

I publikuar më 3 korrik nga Warner Records, albumi debutoi direkt në vendin e parë të Billboard 200, duke u bërë projekti i 10-të i artistes që arrin këtë sukses. Ky rikthim vjen pas shtatë vitesh dhe riafirmon statusin e saj si një nga emrat më të mëdhenj në historinë e muzikës pop.

Përmes një postimi në Instagram, Madonna ndau emocionet e saj pas pritjes së jashtëzakonshme që mori albumi. Ajo publikoi pamje nga festa e organizuar në Queens, New York, ku festoi së bashku me bashkëpunëtorët e projektit, mes tyre Stuart Price, Honey Dijon dhe Kaytranada.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë sa mirënjohëse dhe e befasuar jam nga pritja që ka marrë ‘Confessions II’. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuan në këtë projekt, por mbi të gjitha fansat e mi. Mbështetja, dashamirësia dhe energjia e tyre pozitive janë të jashtëzakonshme. Ende nuk e besoj që albumi është numri një në mbarë botën. Ëndrra ime ishte të bëja botën të kërcente këtë verë dhe t’u sillja njerëzve gëzim. Ëndrrat bëhen realitet”, shkroi ajo.

“Confessions II”, albumi i 15-të në karrierën e ikonës së popit, përmban 16 këngë dhe është vazhdim i albumit të famshëm “Confessions on a Dance Floor” të vitit 2005. Projekti u shoqërua edhe me filmin e shkurtër “Confessions II – The Film”, i prezantuar premierë në Festivalin e Filmit Tribeca, ku përfshihen gjashtë këngë nga albumi.

Ky sukses i sjell Madonna-s një tjetër rekord të rëndësishëm: ajo është artistja e vetme që ka pasur albume në vendin e parë të klasifikimeve në pesë dekada të ndryshme, nga vitet 1980 deri në vitet 2020.

Po ashtu, me 10 albume që kanë arritur vendin e parë njëkohësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, Madonna barazohet me legjendarët The Beatles, duke forcuar edhe më tej vendin e saj në historinë e muzikës botërore.