KreuCelebrity

Can Yaman zbulon dëshirën e madhe: Me këtë yll latin ëndërron të luajë, zbulon dhe kombëtaren që mbështet këtë Botëror

Can Yaman zbulon dëshirën e madhe: Me këtë yll latin

Aktori i njohur turk Can Yaman ka folur hapur për projektin e tij ndërkombëtar “El Turco”, lidhjen e veçantë me kulturën latine, dëshirën për të punuar me William Levy dhe kombëtaren që dëshiron të triumfojë në Kupën e Botës 2026.

Në një intervistë për “HOLA! Americas”, Yaman e cilësoi serialin “El Turco” si një nga projektet më personale dhe më të rëndësishme të karrierës së tij.

Në këtë prodhim historik, aktori interpreton Hasan Balabanin, një luftëtar të tradhtuar nga familja e tij, i cili largohet nga Perandoria Osmane dhe gjen strehim në një fshat të vogël italian. Atje ai përballet me padrejtësinë, dashurinë dhe të kaluarën e tij.

Yaman tregoi se ka gjetur shumë ngjashmëri mes vetes dhe personazhit që interpreton, pasi edhe ai është larguar nga Turqia për të jetuar dhe punuar në Itali.

“Jam një burrë turk që u largua nga Turqia për të jetuar në Itali, njësoj si personazhi im. Kjo e bëri projektin shumë personal për mua”, u shpreh aktori.

Ai foli gjithashtu për dashurinë ndaj kulturës latine dhe dëshirën për të punuar në gjuhën spanjolle. Për t’u përgatitur për projektet në Spanjë, Yaman tregoi se kishte ndjekur mësime intensive, duke studiuar spanjisht për rreth katër orë në ditë dhe duke parë filma e seriale në këtë gjuhë.

Pas eksperiencës gjashtëmujore në një dramë romantike të xhiruar në Spanjë, aktori qëndroi për një periudhë në Madrid, ku pati mundësinë të njihte më nga afër kulturën dhe komunitetin latin.

I pyetur se me cilin aktor spanjishtfolës do të dëshironte të bashkëpunonte, Can Yaman përmendi William Levy.

“Kam punuar në Spanjë me Secuoya Studios dhe besoj se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Ata punojnë edhe me William Levy, ndaj ndoshta një ditë mund të luajmë së bashku në një film”, deklaroi ai.

Aktori zbuloi edhe skuadrën që do të mbështesë në Kupën e Botës 2026. Yaman tha se është një admirues i Lionel Messit dhe se dëshiron që Argjentina të shpallet sërish kampione.

“Gjithmonë e kam admiruar Messin. Më pëlqen shumë ta shoh duke luajtur, ndaj do të mbështes Argjentinën. Shpresoj që Messi të fitojë”, tha aktori.

Ndërkohë, Can Yaman po përgatitet për një tjetër sfidë profesionale. Ai pritet të nisë xhirimet e një seriali komik në Itali, ku do të interpretojë një avokat brilant, por me vështirësi në marrëdhëniet shoqërore dhe romantike.

Sipas aktorit, ideja fillestare e këtij projekti ishte e tij, ndërsa roli do t’i japë mundësinë të tregojë një anë krejtësisht të re të talentit të tij.

Tags:

can yaman