Spanja dhe Franca do të përballen mbrëmjen e sotme në një nga ndeshjet më të shumëpritura të Kupës së Botës 2026, me dy kombëtaret që synojnë një biletë për në finalen e madhe.
Në prag të gjysmëfinales, Lamine Yamal ka treguar se nuk ndihet aspak nën presion, duke i dërguar një mesazh të qartë Kylian Mbappés dhe skuadrës franceze.
Edhe pse sulmuesi i Barcelonës nuk ka spikatur me gola gjatë këtij turneu, ai është i bindur se mund të bëjë diferencën pikërisht në momentin më të rëndësishëm.
“Më pyetën nëse kisha frikë dhe u thashë jo. Siç tha edhe Koundé, futbolli është i tillë. Kaq”, deklaroi Yamal.
Talenti spanjoll iu përgjigj gjithashtu kritikave për paraqitjet e tij, duke theksuar se nuk ndien asnjë lloj presioni përpara duelit vendimtar.
“Ju të gjithë thoni se nuk jam në formën time më të mirë, ndaj nuk duhet të prisni asgjë nga unë. Por kam besim se gjithçka do të shkojë mirë. Jam i sigurt se do të jetë një ditë speciale”, shtoi ai.
Përballja mes Spanjës dhe Francës pritet të jetë shumë e ekuilibruar, pasi të dyja skuadrat kanë në përbërje disa prej futbollistëve më të mirë të turneut. Spanja e ka eliminuar Francën në gjysmëfinalen e Euro 2024 dhe në Ligën e Kombeve në vitin 2025, por Yamal e di se këtë herë sfida do të jetë edhe më e vështirë.
Pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, 19-vjeçari tregoi se po e përjeton me qetësi atmosferën para takimit.
“Ndihem shumë i qetë. Madje tani do të takoj vëllain tim për të prerë flokët. Do të jetë një ndeshje e bukur, ajo që të gjithë dëshironin të shihnin. Të dyja skuadrat do të sulmojnë dhe do të mbrohen. E di se është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”, përfundoi Yamal.
