
Bad Bunny ka ndezur sërish spekulimet për jetën e tij sentimentale, pasi është parë në shoqërinë e ish-partneres së tij, Gabriela Berlingeri.
Fotografitë dhe videot që po qarkullojnë në rrjet tregojnë artistin portorikan dhe dizajneren e bizhuterive duke kaluar kohë së bashku gjatë turneut të tij evropian. Prania e Gabrielës në disa prej ndalesave të turneut, si edhe në Wimbledon, ka bërë që shumë fansa të pyesin nëse mes tyre ka nisur një kapitull i ri.
Historia e dashurisë mes Bad Bunny, emri i vërtetë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio, dhe Gabrielës nisi në vitin 2017, pasi u njohën në Porto Riko. Me kalimin e viteve, ajo u bë një nga njerëzit më të afërt të artistit, duke e shoqëruar në evente të rëndësishme dhe duke marrë pjesë edhe në disa prej projekteve të tij muzikore.
Në vitin 2022, raportimet për ndarjen e çiftit u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Vetë këngëtari deklaroi në atë periudhë se ai dhe Gabriela kishin mbetur miq të ngushtë dhe se të dy ishin të lirë të vazhdonin jetën e tyre. Pak kohë më vonë, ai u përfol për lidhjen e bujshme me modelen Kendall Jenner.
Tashmë, pas përfundimit të asaj romance, Benito është parë sërish pranë Gabrielës. Së fundmi, të dy janë fotografuar në Stokholm duke ecur së bashku, ndërsa në disa pamje duken të përqafuar. Në një moment, artisti shihet edhe duke e puthur Gabrielën në kokë, një gjest që ka shtuar edhe më shumë dyshimet për një rikthim të mundshëm.
Megjithatë, as Bad Bunny dhe as Gabriela Berlingeri nuk kanë reaguar publikisht për natyrën e marrëdhënies së tyre. Për momentin mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një ribashkim romantik apo thjesht për miqësi, por daljet e tyre të fundit kanë rikthyer vëmendjen e publikut te ish-çifti.
