
Botërori 2026 ka mbërritur në fazën më emocionuese, me katër skuadrat që do të luftojnë për një vend në finalen e madhe. Franca, Argjentina, Spanja dhe Anglia janë kombëtaret që kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale, duke konfirmuar statusin e tyre si elita e futbollit botëror.
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, katër vendet e para të renditjes zyrtare të FIFA-s arrijnë njëkohësisht në mesin e katër skuadrave më të mira të turneut. Franca kryeson renditjen, e ndjekur nga Argjentina, Spanja dhe Anglia, të cilat tashmë do të përballen mes tyre për të siguruar biletën drejt finales.
Në çerekfinale, Anglia eliminoi Norvegjinë me rezultatin 2-1, ndërsa Argjentina kaloi Zvicrën 3-1 pas kohës shtesë. Më herët, Franca dhe Spanja kishin prerë biletën për në gjysmëfinale, duke plotësuar kështu një katërshe që premton spektakël.
Programi i gjysmëfinaleve tashmë është zyrtar. Më 14 korrik do të luhet përballja mes Francës dhe Spanjës, ndërsa një ditë më vonë, më 15 korrik, Anglia do të sfidojë Argjentinën e Lionel Messit në një duel që pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të këtij Botërori.
Me katër prej kombëtareve më të forta në garë, faza finale e Botërorit 2026 premton përballje të nivelit më të lartë dhe një luftë të fortë për trofeun më të rëndësishëm në futboll.
