Ana dhe Kevini kanë ndarë me publikun lajmin më të bukur të marrëdhënies së tyre. Çifti, i cili u njoh dhe nisi historinë e dashurisë gjatë edicionit të tretë të “Big Brother VIP Kosova”, është në pritje të fëmijës së parë.
Lajmi u bë publik përmes një postimi të përbashkët në Instagram, ku dyshja publikoi disa fotografi emocionuese nga një ambient i hapur mes natyrës. Në imazhe, Kevini shfaqet pranë Anës, teksa përqafon me dashuri barkun e saj tashmë të rrumbullakosur.
“Nga dy zemra në tri”, shkruan ata krahas fotografive, duke konfirmuar kështu se shumë shpejt familjes së tyre do t’i bashkohet një anëtar i ri.
Postimi u prit me entuziazëm nga ndjekësit, miqtë dhe personazhet e njohura, të cilët i uruan çiftit një shtatzëni të mbarë dhe shëndet për foshnjën.
Sipas asaj që është bërë e ditur, fëmija i Anës dhe Kevinit do të jetë foshnja e parë e ardhur nga një çift i krijuar gjatë katër edicioneve të “Big Brother VIP Kosova”, duke e bërë këtë moment edhe më të veçantë për publikun që e ka ndjekur historinë e tyre që nga fillimi.
Romanca e tyre nisi brenda shtëpisë më të famshme në Kosovë, por vazhdoi edhe pas përfundimit të reality show-t. Pavarësisht largimit nga kamerat, Ana dhe Kevini arritën ta forconin marrëdhënien e tyre, ndërsa tani po hapin së bashku një kapitull të ri.
Çifti nuk ka zbuluar ende gjininë e foshnjës, por ky mund të jetë surpriza e radhës që do të ndajnë me ndjekësit. Për momentin, dyshja po shijon pritjen e ëmbël dhe emocionet e para të rrugëtimit drejt prindërimit.
