
Egli Tako ka ndarë një nga intervistat e saj më intime në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur për eksperiencën në “Big Brother VIP”, jetën personale dhe mënyrën se si kanë ndryshuar këndvështrimet e saj për dashurinë dhe marrëdhëniet.
Duke kujtuar periudhën në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Egli tha se realiteti i atij formati është i vështirë për t’u kuptuar nga ata që nuk e kanë jetuar vetë. Sipas saj, izolimi të bën të humbasësh kontaktin me botën jashtë, ndërsa shtoi se në atë periudhë kishte vendosur të qëndronte besnike ndaj fjalës së dhënë.
“Kur je brenda, nuk e kupton çfarë ndodh jashtë. I kisha dhënë besën dhe nuk do ta tërhiqja fjalën, pavarësisht reagimeve apo gjykimeve që mund të kishte publiku”, u shpreh ajo.
Gjatë bisedës, ish-banorja ndau edhe mendimin e saj për marrëdhëniet romantike, duke theksuar se sot njerëzit nuk investojnë më aq sa duhet në njëri-tjetrin.
“Sot mungon koha dhe përkushtimi në dashuri. Besoj se në një marrëdhënie vajza duhet të ndihet e përkëdhelur dhe e vlerësuar. Ajo duhet të jetë ‘princesha’ e lidhjes, dhe mendoj se një mashkull që e bën këtë vetëm sa tregon më shumë pjekuri dhe burrëri”, tha Egli.
Ajo komentoi gjithashtu prirjen që shumë persona të përpiqen të fitojnë vëmendje përmes luksit dhe gjërave materiale, duke theksuar se për të, një lidhje ndërtohet mbi ndjenjat dhe jo mbi pasurinë.
Në intervistë, Egli foli edhe për ndryshimet që ka bërë në stilin e jetesës. Ajo zbuloi se ka hequr dorë nga fiziku shumë i tonifikuar që kishte ndërtuar me vite në palestër, pasi ndihet më mirë me pamjen që ka sot.
“Më pëlqen më shumë vetja tani. Ndihem më femërore dhe më komode me trupin tim”, u shpreh ajo.
Sa i përket jetës sentimentale, Egli pranoi se ndonjëherë e ndien mungesën e një partneri, veçanërisht gjatë fundjavave, por theksoi se nuk është e gatshme të hyjë në një marrëdhënie vetëm për të mos qenë vetëm.
“Preferoj të jem vetëm sesa në një lidhje që nuk më bën të lumtur”, përfundoi ajo.
