KreuCelebrity

“Gjashtë muaj në spital”, Ferdinand Samarxhi rrëfen për aksidentin me Kardinal Ernest Simonin

“Gjashtë muaj në spital”, Ferdinand Samarxhi rrëfen

Në nderim të figurës së Kardinalit Ernest Simoni dhe vlerësimit të tij të lartë në Vatikan, por edhe në shumë vende të tjera të botës, i ftuar në emisionin “Rudina” këtë të hënë, më 13 korrik, ishte gazetari i të gjitha besimeve fetare në Shqipëri e Ballkan, Mjeshtri i Madh, Nderi i Kombit, Ferdinand Samarxhi.

Ai vlerësoi në mënyrë të jashtëzakonshme Kardinalin Ernest Simoni si një krenari dhe një perlë të madhe të Kishës.


“Kardinali Ernest Simoni është një krenari, është një perlë e madhe e Kishës, jo vetëm e kombit tonë, por tashmë i ka kaluar kufijtë. Tashmë është Vatikani, vendi që kërkon ta promovojë vlerën e tij të martirizimit… Ai është mishërimi i rrugës së Krishtit, i vuajtjeve. Kardinali ynë është portreti i ringjalljes së Krishtit, i vuajtjeve dhe i pushkatimit, dhe ai sot, tashmë 98-vjeçar, shkon, celebron dhe promovon dashurinë hyjnore.”

Gazetari Ferdinand Samarxhi e konsideron Kardinalin si vëllain e tij shpirtëror dhe, teksa rrëfen mbi historinë e raportit të tyre që shumë vite më parë, shprehet:

“Në jetën time si gazetar, që kur iu përkushtova besimeve me shumë pasion dhe devotshmëri, iu kushtova njerëzve të thjeshtë dhe qëmtova tek ata, tek të gjitha besimet, njerëzit që ishin më të përkushtuar. Këtë nuk dua ta them për mburrje apo krenari, por sot ata njerëz si Dom Ernesti i atëhershëm, një prift i një fshati të largët që nuk binte në sy dhe që gazetarët e mi nuk i bënin kronikë, unë i shkoja atje dhe në kohën e luftës, në ’97. Unë shkoja tek ai dhe përcillja devotshmërinë e tij, atë vuajtje dhe dhimbje që ai përjetonte.”

Ferdinand Samarxhi rrëfen një nga momentet më tronditëse të jetës së tij me Kardinal Ernest Simonin, një aksident të rëndë nga i cili të dy dolën gjallë dhe që ai e cilëson si një dëshmi të mbrojtjes hyjnore.

“Në vitin 1993, Kardinali më thërret. Do të organizonte një meshë dhe unë nisem me operatorin herët. Pësojmë një aksident të llahtarshëm dhe makina shkatërrohet. Unë qëndrova 6 muaj në spital, Kardinali 3-4 muaj dhe operatori 2 muaj. Ai erdhi, më mori mua me makinë atëherë natën dhe jemi nisur në orën tre të natës nga Tirana. Në mëngjes shoferin e kishte zënë gjumi dhe ikim, fluturojmë 100 metra larg, makina rrotullohet dhe ne shpëtuam. Qoftë i nderuar Jezu Krishti, sepse na ruajti. Të gjithë jemi mirë.”

Ai rrëfeu se pas aksidentit, Kardinali i tha të merrte një rrugë në Mal të Zi, sepse ishte një përvjetor kishe. dhe se prej atij udhëtimi është bërë mik shpirtëror me Kardinalin Simoni.

“Unë iki dhe i them: Nuk iki pa vëllain tim. Më tha: ‘Kush është?’ dhe unë iu përgjigja: Dom Ernest Troshani.”

Samarxhi rrëfen edhe aksidentet e tjera të jetës së tij me figura të larta fetare, të cilat i konsideron si momente ku Zoti i ka ruajtur dhe i ka dhënë forcë.

“Ishte hera e dytë që aksidentohesha, sepse jam aksidentuar edhe me klerikë të tjerë. Fati im. Është diçka shumë interesante: kam pësuar aksident me kryetarin e Komitetit Mysliman të Zvicrës, kam pësuar aksident me Kryepeshkopin Anastas dhe me Kryegjyshin Baba Mondi. Jemi gjallë, Zoti na ka ruajtur, na ka dashur.”