KreuCelebrity

“Më ndoqi deri në shtëpi”/ Haaland habit me “shokun” e pazakontë prej $750 që solli nga Botërori

Kombëtarja e Norvegjisë është pritur në mënyrë madhështore në Oslo, pas paraqitjes historike në Kupën e Botës 2026, ku arriti për herë të parë deri në çerekfinale.

Dhjetëra mijëra tifozë kishin mbushur rrugët e kryeqytetit norvegjez për të përshëndetur futbollistët, ndërsa avionët ushtarakë shoqëruan ekipin gjatë kthimit në atdhe. Në ceremoninë festive morën pjesë edhe anëtarë të familjes mbretërore.

Megjithatë, vëmendjen më të madhe e tërhoqi Erling Haaland. Sulmuesi i Manchester Cityt zbriti nga avioni duke mbajtur nën krah një rakun të balsamosur, i cili kishte në duar edhe një shishe bosh.

Pamjet u përhapën menjëherë në rrjetet sociale, ndërsa përdoruesit zbuluan se suveniri i pazakontë ishte blerë në Teksas dhe kushtonte rreth 750 dollarë.

Haaland reagoi me humor pas kthimit në shtëpi, duke publikuar fotografinë e rakunit dhe duke shkruar: “Më ndoqi deri në shtëpi”.

Pavarësisht eliminimit 2-1 nga Anglia në çerekfinale, Norvegjia zhvilloi një turne mbresëlënës. Skuadra arriti të eliminonte Brazilin në fazën e 1/8-ave, ndërsa Haaland shënoi shtatë gola gjatë kompeticionit.

Futbollisti u shpreh krenar për atë që ekipi arriti, duke theksuar se Norvegjia tashmë është vendosur në hartën e futbollit botëror.

Festimet në Oslo vijuan me paradën me autobus të hapur dhe me ritualin e njohur si “Viking Row”, ku Princi i Kurorës Haakon iu bashkua lojtarëve dhe tifozëve duke i rënë daulles.