Tom Cruise ka surprizuar publikun me pamjen e tij në filmin e ri “Digger”, projekti i shumëpritur i regjisorit fitues të çmimit Oscar, Alejandro González Iñárritu.
Në trailerin e parë të plotë, aktori shfaqet pothuajse i panjohshëm, me flokë të thinjur dhe të rralluar, bark të madh dhe një theks të fortë jugor. Ky konsiderohet një nga transformimet më të mëdha të Cruise që prej rolit të tij në filmin “Tropic Thunder” në vitin 2008.
Në komedinë satirike me elemente dramatike, Cruise interpreton Digger Rockwell, një baron ekscentrik të industrisë së naftës, i cilësuar si “njeriu më i fuqishëm në botë”. Kompania e tij dyshohet se ka shkaktuar një katastrofë ekologjike me pasoja të rënda, e cila mund ta çojë botën drejt një konflikti bërthamor.
Pasi përballet me pasojat e veprimeve të tij, Rockwell nis një mision të dëshpëruar për ta bindur njerëzimin se është pikërisht ai personi që mund ta shpëtojë botën nga shkatërrimi që vetë ka shkaktuar.
Cruise ka deklaruar se ky projekt e ka sfiduar në një mënyrë krejtësisht të re.
“Nuk kam pasur kurrë diçka që të më sfidonte në këtë mënyrë. As Alejandro nuk kishte punuar më parë në një projekt të tillë. Kur ta shihni filmin, do të kuptoni se është diçka tërësisht origjinale”, është shprehur aktori.
Ideja për “Digger” lindi rreth dhjetë vite më parë, në kohën kur Iñárritu po përfundonte filmin “The Revenant”. Regjisori ka treguar se personazhi kryesor i ishte fiksuar në mendje prej vitesh, por i është dashur një dekadë për të gjetur mënyrën e duhur për ta sjellë historinë në ekran.
Sipas tij, filmi do të jetë absurd, i rrezikshëm dhe njëkohësisht komik, pasi humori i tij buron nga tragjedia dhe nga mënyra se si personazhi kryesor përpiqet ta manipulojë realitetin.
Përkrah Tom Cruise në kast janë edhe John Goodman, Riz Ahmed, Michael Stuhlbarg, Jesse Plemons dhe Sophie Wilde.
Filmi është xhiruar me teknikën VistaVision, një proces analog me rezolucion të lartë i përdorur fillimisht në vitet 1950. “Digger” pritet të dalë në kinematë botërore në fillim të muajit tetor.
