Prishtina këtë javë ka në vëmendje gastronominë. Dhe në datën 17 korrik në Festivalin “Prishtina Gastronomy Festival” promovohet libri “Shijet tona” i gazetares Ilda Lumani.
Kështu që të gjithë dashamirësit e kulinarisë, turistët dhe vendas të apasionuar pas ushqimit do kenë mundësinë të ndjekin dhe provojnë ushqime, pjata unike dhe tradite, por edhe të ndjekin aktivietetet e shumta artistike, që do të zhvillohen nga data 15 deri në datë 19 Korrik.
Mes eventeve të shumta gjatë këryre ditëve në fokus do të jenë edhe recetat shqiptare, të cilat tashmë janë mbledhur në librin “Shijet tona”, i cili prezanton pikërisht 99 receta tradicionale së bashku me përjetimet dhe memorjen që kanë lënë pjata të shumta që nga fëmijëria e hershme dhe mandje në çdo vend, qytet, krahinë, restorant dhe agroturizëm në Shqipëri, që autorja Ilda Lumani ka prekur. Librin, që është në Shqip dhe Anglisht do të mund ta gjeni gjatë panairit, dhe gjithashtu ta takoni dhe bisedoni rreth tij me autoren ditën e premte, në datë 17 korrik në orën 19:00, gjatë prezantimit të parë zyrtar në Prishtinë, një audiencë e re dhe mjaft e interesuar dhe e vëmendshme ndaj traditës dhe pjatave që kanë bërë histori në gjithë vendet shqipfolëse.
“Shijet Tona” vjen si një ftesë për t’u rikthyer te rrënjët, për të rizbuluar recetat që kanë kaluar brez pas brezi dhe për të kuptuar se nostalgjia, shpeshherë, mund të shijohet brenda një pjate.

Libri “Shijet tona” u botua në dhjetor të vitit që lamë pas dhe pas prezantimeve në Tiranë, vetëm një muaj më parë u prezantua edhe jashtë Shqipërisë në Greqi, në një event mes shqiptarësh të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Greqi.

Ndërkohë për të gjithë ata që do të gjenden në Prishtinë, apo ata që duan një motiv për të shkuar këtë javë në Prishtinë, vendoseni në axhendë dhe mos e humbisni këtë event unik. Nga data 15 deri më 19 korrik, sheshi “Adem Jashari” në Prishtinë do të shndërrohet në një destinacion të madh shijesh, muzike dhe atmosfere festive, duke bërë bashkë emra të njohur të gastronomisë, restorante, marka dhe dashamirës të kuzhinës.
