KreuCelebrity

Neymar shpërblen veten me një superjaht 19 milionë eurosh pas Botërorit, luksi i tij ka edhe heliport

Neymar shpërblen veten me një superjaht 19 milionë eurosh pas
Pak ditë pas përfundimit të aventurës së Brazilit në Kupën e Botës, Neymar ka tërhequr sërish vëmendjen, këtë herë jo për futbollin, por për blerjen e tij më të re luksoze. Sulmuesi brazilian ka marrë në dorëzim një superjaht me vlerë rreth 19 milionë euro, të cilin e ka pagëzuar “Enejota”, emër i frymëzuar nga inicialet e tij.

Sipas revistës braziliane Nautica, jahti është 46 metra i gjatë dhe është ndërtuar për të ofruar komoditet maksimal gjatë lundrimeve. Brenda tij ndodhen gjashtë suita luksoze, të shpërndara në rreth 800 metra katrorë hapësirë, ndërsa një nga veçoritë më të spikatura është heliporti privat, që lejon uljen dhe ngritjen e helikopterëve.

Mjeti lundrues është projektuar nga arkitekti Fernando Almeida, i cili e ka shndërruar atë në një jaht të tipit explorer, të përshtatshëm edhe për udhëtime të gjata në det. Ai është i pajisur me katër motorë Caterpillar me nga 1.450 kuaj fuqi secili dhe mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej rreth 37 km/h.

Pas eliminimit të Brazilit në fazën e 1/16-ve të Botërorit, Neymar u pa fillimisht në një turne pokeri, ndërsa më pas zgjodhi ta festojë nisjen e një kapitulli të ri me këtë investim luksoz. Jahti ka nisur tashmë lundrimin inaugurues përgjatë brigjeve braziliane, duke kaluar nga Fortaleza dhe Recife, përpara se të ankorohet pranë rezidencës së futbollistit në shtetin e Rio de Janeiros.