
James Franco ka habitur ndjekësit e tij me një seri videosh misterioze të publikuara në TikTok, ku aktori pretendon se ka filmuar një krijesë të pazakontë pranë shtëpisë së tij.
Aktori dhe regjisori 48-vjeçar, i cili hapi llogarinë JamesFranco2319 në qershor dhe tashmë ka mbledhur afro 1 milion ndjekës, ka ndarë disa pamje ku shprehet se dikush po përpiqet ta pengojë të tregojë atë që ka parë.
“Ata duan që unë të ndalem. Njerëzit mendojnë se po sillem çuditshëm, por nuk jam. Unë pashë diçka”, dëgjohet të thotë Franco në një nga videot.
Në publikimin e tij të fundit, më 13 korrik, aktori prezantoi atë që e quajti “provë”. Ai shfaq ekranin e një laptopi ku duken pamje nga kamerat e sigurisë, ku pretendohet se shihet një figurë humanoide me tipare të ngjashme me një krijesë jashtëtokësore, pranë një peme dhe një banese.
“Nuk mund ta mbaj më të fshehtë. Duhet ta publikoj, sepse disa po përpiqen të më ndalojnë”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se do të publikojë edhe materiale të tjera.
Videot kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjet. Ndërsa disa ndjekës janë shprehur se i besojnë historisë së aktorit, të tjerë dyshojnë se gjithçka mund të jetë pjesë e një fushate marketingu për një projekt të ri kinematografik.
Komentet kanë qenë të shumta, me disa përdorues që kanë bërë shaka se mund të jetë një skenë nga ndonjë film i ardhshëm i Franco-s. Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të projekteve të tij të reja, mes të cilave filmi “John Rambo”, thrilleri “Golden State Killer” dhe komedia “Toad”.
Deri tani, nuk ka asnjë konfirmim nëse pamjet janë reale apo pjesë e një strategjie promovuese.
