KreuCelebrity

Misteri i numrit 19: rastësitë e frikshme që lidhin Messin me Lamine Yamal

Misteri i numrit 19: rastësitë e frikshme që lidhin Messin me

Lionel Messi dhe Lamine Yamal do të përballen për herë të parë në karrierën e tyre, por historia e dy yjeve të futbollit duket se është lidhur prej kohësh nga një numër i veçantë: 19.

Rrugët e tyre u kryqëzuan për herë të parë 19 vite më parë, gjatë fotos tashmë virale ku një Messi ende në fillimet e karrierës shfaqej duke larë Lamine Yamal, atëherë vetëm disa muajsh, në kuadër të një kalendari bamirësie të organizuar nga “Sport”, UNICEF dhe Barcelona.

Askush nuk mund ta imagjinonte se, 19 vite më vonë, foshnja e asaj fotografie do të shndërrohej në një prej talenteve më të mëdha të futbollit dhe do të sfidonte pikërisht Messin në një finale të Kupës së Botës.

Por rastësitë nuk përfundojnë këtu. Të dy futbollistët kanë mbushur 19 vjeç gjatë Botërorit të tyre të parë. Messi e bëri këtë në vitin 2006, ndërsa Lamine në edicionin aktual. Për më tepër, të dy debutuan në kompeticionin më të rëndësishëm të kombëtareve duke mbajtur fanellën me numrin 19.

Ky numër ka shoqëruar dy yjet edhe te Barcelona. Messi, pasi e nisi aventurën me fanellën 30, kaloi te numri 19 përpara se të merrte fanellën ikonike me numrin 10. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe Lamine Yamal, i cili mbajti numrin 19 përpara se të trashëgonte “10”-ën e lënë nga legjenda argjentinase.

Rastësia më e madhe lidhet me datën e finales së Botërorit: Messi dhe Lamine do të luftojnë për trofeun më 19 korrik.

Një seri koincidencash që ka ndezur rrjetet sociale dhe ka nxitur tifozët të flasin për “misterin e numrit 19”. Madje, historia të kujton filmin “The Number 23”, me Jim Carrey, ku protagonisti zhvillon një obsesion ndaj një numri që i shfaqet vazhdimisht në jetë. Edhe ky film është publikuar pikërisht 19 vite më parë.

Tashmë mbetet për t’u parë se kujt do t’i sjellë fat numri 19: legjendës Lionel Messi apo trashëgimtarit të tij të mundshëm, Lamine Yamal.