KreuCelebrity

Erling Haaland i përgjigjet ftesës së Tom Holland: Më fal për vonesën, por...

Një keqkuptim mes Erling Haaland dhe Tom Holland ka marrë fund në mënyrën më argëtuese. Sulmuesi norvegjez i Manchester City ka pranuar publikisht ftesën për darkë të aktorit të njohur britanik, pasi fillimisht e kishte injoruar mesazhin e tij në Instagram.

Historia u bë publike gjatë intervistës së Tom Holland në emisionin “The Tonight Show” me Jimmy Fallon. Aktori i “Spider-Man” tregoi se i kishte dërguar një mesazh Haaland, duke e ftuar për darkë, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

“Po, është e vërtetë. Asnjë përgjigje. As edhe një ‘më fal, jam i zënë’ apo ‘kam një ndeshje’. Asgjë”, u shpreh Holland me humor, duke e cilësuar situatën si një përvojë disi poshtëruese.

Aktori, i cili është një tifoz i madh i kombëtares angleze, kishte treguar se e kishte parë Haaland gjatë Çmimit të Madh të Formula 1 në Monako. Pas këtij takimi në distancë, ai kishte vendosur t’i shkruante futbollistit dhe ta ftonte për të ngrënë së bashku.

Megjithatë, Haaland zbuloi më vonë se arsyeja e heshtjes së tij ishte shumë më e thjeshtë nga sa mendohej. Gjatë emisionit norvegjez “A Laget”, ai pranoi se nuk e njihte aktorin dhe kishte menduar se bëhej fjalë për një person të panjohur.

“Për të qenë i sinqertë, është pak e sikletshme. Nuk shoh shumë filma, nuk e kisha parë kurrë atë person dhe nuk doja t’i përgjigjesha një të panjohuri. Kështu që nuk u mora fare me mesazhin”, shpjegoi sulmuesi.

Pas publikimit të historisë, intervista e Holland u bë virale në rrjetet sociale, duke grumbulluar miliona shikime. Haaland vendosi më në fund të reagonte dhe e pranoi publikisht ftesën.

“Ftesa për darkë u pranua. Pak me vonesë. Më thuaj vetëm vendin!”, shkroi futbollisti.

Tashmë mbetet për t’u parë se kur do të realizohet darka mes dy personazheve të famshëm, ndërsa një fotografi apo video nga takimi i tyre pritet të bëhet menjëherë virale në internet.