
Aktorja e njohur turke Su Burcu Yazgı Coşkun ka tërhequr sërish vëmendjen e ndjekësve shqiptarë, këtë herë me një video të publikuar në InstaStory, ku shfaqet duke kënduar në gjuhën shqipe.
Ylli 20-vjeçar, i njohur për rolet e saj në serialet “Kardeşlerim” dhe “Bir Gece Masalı”, ka origjinë shqiptare nga ana e nënës dhe nuk e ka fshehur asnjëherë krenarinë për rrënjët e saj.
Më herët, Su Burcu ka emocionuar fansat shqiptarë edhe gjatë vizitave në Kosovë, të cilën e ka cilësuar si “shtëpinë” e saj. Në intervista të ndryshme, ajo ka treguar se nëna e saj është shqiptare dhe se traditat shqiptare kanë qenë gjithmonë pjesë e familjes së tyre.
“Mami im është shqiptare. Ne i ruajmë traditat shqiptare në shtëpi”, është shprehur më parë aktorja, e cila ka folur edhe për gatimet tradicionale shqiptare që pëlqen.
Publikimi i videos ku këndon shqip është pritur me entuziazëm nga fansat, të cilët e kanë përgëzuar për lidhjen e vazhdueshme me kulturën dhe gjuhën shqiptare.
