KreuArt

Abaz Hado “rikthen” natyrën ndryshe: Bota pa kufij që fshihet pas 20 pikturave

“Ekspozita afron një realitet të natyrës, por jo si pasqyrim i saj, por si një mjedis i dëshiruar, ndërtuar nga struktura psikologjike si një natyrë imagjinare që shkon deri në kufijtë surrealë.. Duke afruar jo një realitet, por një botë pa kufizim, krejt të transformuar”

Nga Olsi Kolami

Një mëngjes të nxehtë vere është krejt normale të nxitosh hapin për të gjetur një vend të freskët në Tiranë. Holli i Bankës Credins në zonën e ish-Bllokut duket vendi ideal. Pas derës së qelqtë, flladi i kondicionimit të fut në një tjetër dimension: një ekspozitë. Ajo që është e pazakontë për një institucion financiar janë pikturat plot ngjyra të vendosura mbi kavaleta druri në të gjithë mjedisin. Ulur në një kolltuk lëkure, piktori Abaz Hado na fton për të zbuluar ekspozitën. E ka titulluar “Rikthimi”, përfshin plot 20 punime me përmasa që të kënaqin syrin dhe janë të gjitha krijime të dy viteve të fundit. "Ta sjellësh artin aty ku lëvizin paratë, aty ku bota e zhvillimit merr vendime është një koncept shumë modern”, shprehet piktori Abaz Hado për revistën “Bordo”. Titulli i ekspozitës nuk është aspak rastësor, pasi ai rikthehet në të njëjtin mjedis pas 6 vitesh, kur Credins nisi një mision duke i dedikuar artistëve një hapësirë ekspozuese brenda bankës, tani e kthyer në një traditë.

Kur viziton hapësirat e një institucioni financiar në Tiranë, ndoshta nuk pret të gjendesh përballë një dialogu kaq të thellë me artin, ndaj ndryshe nga hera e tij e parë këtu, ky holl është kthyer në një pikëtakim kulturor. “Kjo nuk është thjesht një ekspozitë, por një vizion për të integruar artin nëpër institucione e biznese. Për punonjësit kjo është një dritare shpirtërore, ndërsa për klientët, një atmosferë që fisnikëron ambientin”, shton Abaz Hado. Ai e vlerëson shumë pozitive jo vetëm faktin që Credins mbështet artin, por edhe për faktin se po krijon një fond pikturash me artistë shqiptarë, një traditë mjaft e njohur në bankat prestigjioze në botë.

Ekspozita me 20 punime e Abaz Hados në thelb është, siç edhe ai e quan, pjesë e konsolidimit, personalitetit, konceptit dhe stilit. Edhe pse gjithë koleksioni i pikturave të ekspozitës e merr pikënisjen nga natyra, qartazi Hado merr prej të saj impulse të cilat i çon përtej asaj që janë në dukje. Ndaj nëse do të kërkonit thelbin e ekspozitës së Abaz Hados, nuk do ta gjenit te përshkrimi besnik ndaj një peizazhi, por te guximi për ta rishpikur atë. “Ekspozita afron një realitet të natyrës, por jo si pasqyrim i saj, por si një mjedis i dëshiruar, ndërtuar nga struktura psikologjike si një natyrë imagjinare që shkon deri në kufijtë surrealë. Duke afruar jo një realitet, por një botë pa kufizim, krejt të transformuar”, thekson piktori. Edhe pse gjithë motivet vijnë nga përshtypja e parë e artistit në kontakt me natyrën, duket se shqisa artistike e Hados ka arritur të kristalizojë imazhe dhe forma me ngjyra gati surreale që nuk përputhen aspak me atë që dikush dallon në një peizazh.

Kjo e bën pikturën e tij jo një kopje e natyrës, por një interpretim të saj, duke shpalosur një alfabet të ri të ngjyrës dhe formës, duke e quajtur natyrën një entitet me shpirt. “Kur pikturoj, nuk jam aty për të dokumentuar dritën e rënë mbi një mal apo formën e një gjetheje. Jam aty për të kapur atë që unë e quaj 'lëngun e brendshëm' të gjërave. Preferoj të jap atë realitet që më duket mua më efikas, që raporti im emocional të jetë një raport me publikun, jo me natyrën”, shprehet artisti. Ndryshe nga ekspozita e mëparshme e cila ishte periudha ku kërkimet e tij bazoheshin mbi variacione ngjyrash abstrakte, si një proces mbi harmoninë dhe disharmoninë e ngjyrave, “Rikthimi” e sjell më të konsoliduar në personalitetit, koncept dhe stil. “Kërkova, si të them, t’i jap një shpirt i cili ka të bëjë me raportin tim me natyrën, qëndrimin që natyra më jep mua dhe emocionet që fal ajo në momente të caktuara të stinëve. Ato shpesh janë peizazhe, por unë i kam ndërtuar mbi fantazinë time, bazuar te një pemë që lulëzon, apo kur gjethet bien”, shpjegon ai gjithë filozofinë e veprës së tij. Por nga ana tjetër edhe pse një realitet surreal, Hado ka arritur të ruajë të paprekur te krijimet e tij lidhjen organike që pylli ose pemët krijojnë me njëra-tjetrën, duke i shfaqur në forma, fizionomi dhe anatomi ku asnjëra nuk është identike me tjetrën. “Në një pyll të gjitha pemët nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Secila ka historinë e vet, dhimbjen e vet. Edhe pse janë një objekt fizik, kur e pret ajo ka lëngun e vet, që do të thotë ajo që bart jetë, ka shpirt”.

Ai vëzhgon pemët, pyjet, hënën, detin dhe ndryshimet e stinëve, por nuk synon të riprodhojë realitetin ashtu siç është. Përkundrazi, ai ndërton një realitet të ri, të mbështetur mbi elemente reale, por të transformuar nga imagjinata dhe emocionet e tij. Peizazhet e tij nuk janë vende konkrete, ato janë peizazhe të brendshme, të krijuara nga kujtesa dhe përjetimi. “Unë i kam përjetuar vazhdimisht qasje të tilla emocionale me ndjesi, kur nga liqeni bëja vrapin e mëngjesit, bashkë me Pitin qenin tim besnik. Pikërisht këtë po kërkoja në këtë fazë në artin tim, të futem në magjinë e një raporti aq të ndërlikuar si sistem harmonie të natyrës, botës, pemëve të vetmuara, apo të një pylli të dendur, plot larmi formash dhe ngjyrash. Këto momente mund të prekësh emocionalisht, atë ekuilibër magjik”. Siç ai e përshkruan, qëllimi që në nisje nuk ishte thjesht një transformim koncepti, apo ndryshim mënyre modelimi, por një përqasje emocionale përballë një realiteti ekzistencial të natyrës, ku ndryshimet stinore, nuk janë vetëm në aspektin formal, por si raport që tejkalon përshkrimin duke vlerësuar më së pari ndjesinë. “Kjo është periudha, kur po futesha gradualisht prej vitesh në mrekullinë e raportit të natyrës, veçanërisht pyllit, pemëve, diellit, hënës, piktorit, për të kuptuar ndërlidhjen e tyre të vazhdueshme”, thekson Hado. 

Ky kontakt me natyrën u transformua në një reflektim të thellë mbi raportin kompleks ‘të njeriut me natyrën’, jo brenda një peizazhi tipik, por në një realitet të ndërtuar mbi fantazinë. Hado nuk ndjek logjikën tradicionale të ngjyrave të natyrës, pasi për të, ngjyra është ndjesi e brendshme dhe jo përshkrim realist. Mes pikturave të tij dallon një pemë të kuqe, të zezë apo të bardhë, jo sepse ekziston në natyrë në atë formë, por sepse kështu ai e ndjen dhe e percepton. Kjo e lejon atë që përmes lirisë krijuese t’u japë veprave të tij një karakter më poetik dhe simbolik, ku çdo detaj bart një kuptim më të thellë nga ai që shihet në pamje të parë.

“Ngjyrat janë ndjesi e brendshme. Nuk e pikturoj pemën siç e sheh syri në një ditë të zakonshme; pikturoj pemën siç e ndien shpirti im”, thekson ai. Kjo është arsyeja pse paleta e ngjyrave që krijon Hado shkëputet nga realiteti fizik, duke i dhënë pemëve, trungjeve apo gjetheve tone të cilat syri njerëzor i percepton vetëm në momentet e realitetit të ndërtuar nga vetë artisti brenda një kanavace, duke u nxjerrë atyre në pah shpirtin.

Një vend të veçantë në krijimtarinë zënë pemët dhe trungjet me nuanca të ndezura blu, portokalli, vjollcë dhe jeshile. Ai i konsideron ato simbol të ekzistencës, diversitetit dhe bashkëjetesës. Trupat e pemëve kanë harmoni mes tyre, ato ngrihen drejt qiellit si simbole të qëndrueshmërisë, me rrënjë që shtrihen thellë e pastaj degë që ngjiten lart drejt qiellit, duke krijuar një raport mes tokës dhe universit, ndërsa drita e hënës i jep tablove elemente poetike që ndërthuren me dimensione filozofike dhe shpirtërore.

Në epokën ku jetojmë, inteligjenca artificiale po kërcënon t'i zëvendësojë proceset krijuese artistike, por Hado beson se asgjë nuk mund të ndryshojë esencën e një vepre arti të krijuar nga dora e njeriut, sado e përsosur qoftë ajo e prodhuar nga teknologjia. “Sado perfekte të jenë krijimet e makinerive, ato nuk kanë shpirt. Vepra e vërtetë krijohet nga dora, emocionet dhe dhimbja e artistit.” Në këtë ‘betejë’ njeriu po triumfon, sepse ende veprat e krijuara para shumë shekujve janë ato që mbushin ankandet botërore, sado që ato riprodhohen me ritme frenetike nga teknologjia. “Krijuesi nuk duhet të ndalet kurrë së kërkuari. Çdo arritje është vetëm një hap drejt një sfide të re. Arti është një udhëtim i pafund drejt asaj që ende nuk është zbuluar, një kërkim i vazhdueshëm për të arritur të pamundurën dhe për ta kthyer atë në imazh, emocion dhe reflektim”, përfundon Abaz Hado në intervistën për revistën “Bordo”.