Nga Olsi Kolami
Studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka zbulon në këtë intervistë për BORDO artin e rrallë të zjarrit, të flakës dhe të tymit të të pesë qeramisteve Mira Kuçuku, Llambrini Bojaxhiu, Laura Sllamniku Kryeziu, Blerta Surroi dhe Gresa Kurti
Mes mitologjisë, memories së dheut dhe transformimit artistik të argjilës, ekspozita “Diona e Dheut” sjell një univers ku qeramika nuk shfaqet vetëm si teknikë, por si gjuhë shpirtërore. Pesë artiste shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova bashkohen në një dialog të rrallë krijues, ku zjarri, balta, tymi dhe ngjyra ndërtojnë forma që lëvizin mes arkaikes dhe modernes. Mira Kuçuku, Llambrini Bojaxhiu, Laura Sllamniku Kryeziu, Blerta Surroi dhe Gresa Kurti, sjellin përmes artit të zjarrit, të flakës e të tymit të qeramikës krijime që nisin nga dheu, jo thjesht si materie, por kujtesë, identitet dhe histori e skalitur me duar. Në këtë rrëfim, studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka zbulon përmes konceptit të “Dionës”, hyjneshës së dheut dhe krijimit, proceset artistike të pesë qeramisteve që i dhanë jetë kësaj ekspozite në galerinë “GOCAT” në kryeqytet, e cila do të jetë e hapur edhe gjatë muajit qershor.
Znj. Suzana, si arrite të bëni bashkë pesë autoret e “Diona e Dheut”?
Si studiuese arti vëzhgoj krijimtarinë e artistëve. Shoh ecurinë e tyre dhe, natyrisht ndalem shpeshherë mbi imazhe që shkaktojnë interes. Mbi trajtat e tyre artistike kërkoj të ndërtoj konceptet e mia kuratoriale, pa të cilat, në ditët e sotme, nuk mund të ndërtohen ekspozita të artit pamor, madje edhe të gjitha eventet e ndryshme kulturore e më gjerë. Prej këtij kërkimi si në Shqipëri e Kosovë u njoha me artistet qeramiste, kërkova në studiot e tyre ato vepra arti, që i shihja në vizionin tim se do të qëndronin mjaft mirë së bashku.
Një ekspozitë qeramike e rrallë për nga dimensioni dhe përmbajtja, si u konceptua në aspektin kuratorial?
Së pari dua të përmend që të pesta artistet kanë një krijimtari krejt të veçantë dhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Ato i bënë bashkë dashuria për argjilën, për formën, për glazurat e nënglazurat, për terrakotën dhe rakunë. Për çudinë dhe befasinë që ato ndjejnë kur hapin furrat me temperatura mbi 1000 gradë dhe kur luftojnë me flakët mbi furrat e tyre të ngritura në natyrë. Kisha kohë që e mendoja organizimin e kësaj ekspozite në biseda me mjeshtren Mira Kuçuku. Kurimi i saj më nxiste, pasi materiali qeramikë është shumë tërheqës dhe krijimi në këtë materie është shumë i njohur në ditët e sotme. Teknologjia e përpunimit të argjilës dhe e kimikateve për realizimin e qeramikës, në vendet e zhvilluara të botës, ka ecur me hapa galoponte. Koncepti fillestar ishte të pasqyroja cilësinë e krijimtarisë së grave artiste shqiptare. Ndërkohë me laps e letër skicoja mënyrën e ekspozimit dhe shkruaja idetë e çastit, por edhe idetë e njohurisë. Njëkohësisht zhvilloheshin dhe ruheshin tek unë faktet e rëndësishme që shënon historia e artit botëror dhe ajo shqiptare mbi qeramikën dhe proceset teknike të saj. Mbaja në vëmendje dhe ndiqja zhvillimin e jashtëzakonshëm që ajo ka në vendet e Lindjes ashtu dhe të Perëndimit. I gjithë ky bagazh duhej sistemuar tek unë, njëkohësisht rriti përgjegjësinë kur sapo mora lajmin që projekti ishte pranuar nga Galeria e Artit Bashkëkohor Tiranë, që njihet me emrin “GOCAT”, sepse në ditët që jetojmë stafi i saj është kërkues ndaj ekspozimit të niveleve të larta artistike. Koncepti kuratorial mori formën përfundimtare, kur gjeta çelësin, të cilën e mbante të fshehtë Diona, hyjnesha e Malit të Olimpit. Zbulova se roli i saj mitologjik përmendet nga Homeri në librin e pestë të Iliadës. Ajo adhurohej në Orakullin e vjetër të Dodonës, në Epir dhe u trashëgua si një figurë e rëndësishme në besimet epirote. Ajo u adhurua dhe respektua prej banorëve ilirë-epirotë, derisa asaj kohe, kur perandoria e krishterë, dominoi mbi besimin e tyre.
Si e përcaktua tematika për 5 artiste dhe 5 breza të ndryshme, çfarë i lidh dhe çfarë i ndan ato?
Ajo që i lidh është tematika e ndërtuar nga imagjinata ime mbi imazhin e simbolikës së “Dionës” hyjneshë. Është ndërthurja e mitit të gruas hyjni me gruan njeri me dhunti hyjnore, që e ushtron fuqinë mbi argjilën me butësi, thellësisht të ngjyrosur me nuanca dëshire dhe arti. Në ekspozitë, misticizmi i hyjneshës së padukshme u trupëzua te gratë qeramiste dhe më nxiti t`i shquaj pesë artistet qeramiste shqiptare si “Dionat e Dheut”. Dheu është materiali i parë i qeramikës. Pa dheun, baltën apo argjilën nuk mund të flasim rreth qeramikës. Procesi krijues i brumimit, formimit, modelimit, pikturimit, piktografimit dhe pjekjes së dheut i bëri bashkë të 5-ta artistet. Ky proces sa artistik aq dhe teknologjik shfaqet përmes mediumit qeramikë, e cila bashkëjeton dhe përdoret nga artistet, krijimtaria e të cilave në këtë ekspozitë është gjurmë pasardhëse që nga krijimi elegant i Venusit të Dolnit Věstonice, një venerë e gjetur 31 000 mijë vite më parë në trojet e Çekisë së sotme. Ajo që i ndan është individualiteti sesi ato i afrohen formimit dhe modelimit të argjilës për veprat e tyre, pikturimit apo krijimit të teksturave të sipërfaqeve të saj. Impenjimi krijues i së cilës është vetjak, i ndryshëm, aspak i ngjashëm me njëra-tjetrën.
Qeramika arti më i hershëm, ose dheu ‘i ngritur’ në art, në çfarë teknikash vjen te “Dionat e Dheut”?
Natyrisht njeriu i hershëm preku më parë se çdo gjë tjetër dheun, e bashkoi me ujin dhe pluhurin e kockave shtazore dhe, me të krijoi figurinat e para, të cilave iu dha formën e gruas, ku në kokë nuk dallohen tipare dhe këmbët mbyllen si maja. Ata i respektuan asaj gjinjtë e mëdhenj, që në ditët e mendimit modern u cilësuan venera të pjellorisë. Dhe prej mijëra vjetësh, qeramika zhvillohet përmes teknikash, si rudimentale e tradicionale ashtu dhe elegante e të sofistikuara. Teknikat që artistet shqiptare përdorin në këtë ekspozitë nuk mbeten prapa nga të gjitha teknikat që përdoren në mbarë botën. Ato kanë sjellë vepra në argjilën e pjekur, të grafikuar e të pikturuar me penel, të cilën e përgjithësojmë me teknikën e terrakotës. Gjerësisht, kjo teknikë është përdorur në ekspozitë nga Mira Kuçuku, Llambrini Dëna dhe Blerta Syla Surroi. Ndërsa teknika më e veçantë, ajo Raku, të cilën në Shqipëri dhe në Kosovë e ka sjellë dhe praktikuar Mira Kuçuku, e përcaktojmë si qeramika e pikturuar me flakë e tym, sipërfaqet e së cilës pastrohen, lustrohen e ledhatohen me fërkim, e kanë përdorur artistet si: mjeshtrja Mira Kuçuku, dhe artistet e Prishtinës Laura Sllamniku Kryeziu e Gresa Kurti.
Mira Kuçuku ka një koleksion me trupa njerëzore dhe objekte murale plot kolor, çfarë e bën të veçantë?
Mira Kuçuku punon qeramikë prej më shumë se 50 vitesh, që nga shkolla e lartë, ku u edukua me skulpturën, e cila e ktheu në teknikën e qeramikës tradicionale. Më pas ajo e rriti gamën e krijimtarisë duke iu kushtuar njohjes dhe praktikimit të gjitha teknikave që njeh qeramika e sotme, ku dy kryesoret janë terrakota dhe rakuja. Mira Kuçuku është artistja qeramiste më e njohura e arteve pamore në Shqipëri, e cila në studion e saj, ka kontribuar të edukohen dhe dhjetëra artistë të tjerë me këtë art. Ajo e ka krijuar identitetin e vet, që do të thotë se qeramika e saj ka një bosht të përcaktuar dhe shkakton njohje të menjëhershme te shikuesi si krijime të Mira Kuçukut. E veçanta e saj është mos heqja dorë nga volumet skulpturore dhe piktorike të krijimit të figurës njerëzore. Figura e abstraguar njerëzore është frymëmarrja e saj gjatë proceseve të krijimit në qeramikë. Krijimtaria e saj qëndron ndërmjet formave klasike, kur krijon torset delikate femërore dhe ato abstrakte ekspresiviste, kur krijon figurën, kokën apo pikturon mbi format e argjilës murale, të cilat janë të rrumbullakëta, drejtkëndore apo volume vazosh e frutierash. Këto të fundit funksionin e tyre parësor e të vetëm e kanë si objekte dekorative impresionuese dhe aspak funksionale utilitare. E veçanta e Mirës është ndjeshmëria e lartë ndaj prekjes së argjilës dhe impenjimi ekspresiv ndaj të gjitha çasteve, kur krijon qeramikë. Ajo kërkon të jetë e ndryshme nga njëra pjesë te tjetra. Provon dhe provon, duke mos reshtë të befasohet nga teknika e shpejtë dhe dramatike e Rakusë, e lindur që në shekullin XVI, në Japoni. Ajo mbetet në dashuri të përhershme me volumin e argjilës së pjekur dhe të pikturuar në temperaturat e larta të terrakotës.

Llambrini Bojaxhiu sjell terrakotën përmes kuajve të stilizuar, pse kjo zgjedhje nga ana juaj?
Kur gjeta në studion e saj figurat e dy kuajve, mendova se krijimtaria e Llambrini Dënës më lidhej mjaft qartë me konceptin e ekspozitës. Në legjendat e hershme epike të kulturës sonë të Eposit të Kreshnikëve dhe tek Iliada, epika e legjendave shekullore, rrëfehet për kultin e kalit hyjnor e të pavdekshëm, i cili u krijua e mbrohej nga hyjnitë, Poseidoni i deteve dhe erërave, si dhe Redoni i deteve dhe erërave të ujërave të Ilirisë. Në këtë arsye qeramistja Llambrini Dëna, zotëruese e argjilës së dheut, i kushtoi ndjesitë e saj krijimit të kësaj figure, më të bukurës figurë ndërmjet kafshëve të natyrës. Qartësisht në konceptin tim kuajt nuk mund të mungonin, pasi hyjnitë e mbinatyrshme janë të lidhura me ta, ashtu siç njeriu i zakonshëm i tokës është i lidhur me kuajt, prej mijëra vjetësh. Kuajt janë një qasje krejt e ndryshme në ekspozitë, por që konceptualisht i japin asaj trajtesë domethënëse që nis në hershmëri. Kuajt, ashtu si Dionat hyjnore të tokës, në rastin tonë artisteve qeramiste, udhëtojnë së bashku. Në studion e përpunimit të argjilës të Llambrini Dënës, kuajt u kthyen në personazhe shumë tërheqës dhe në hapësirat e galerisë GOCAT kryen të njëjtin funksion. Gjatë kurimit, volumet dhe trajtimi i tyre dekorativ krijuan një hapësirë ekspozuese me shumë interes, madje i dhanë gjallëri dhe ndryshueshmëri në formë dhe subjekt. E veçanta e artistes është sepse ajo gjeti elementin e dekorimit të kursyer etno-koloristik, që është një shprehje tjetër e lidhjes së qeramikës së hershme me atë të ditëve tona. E kjo shquhet në sipërfaqen e trupave të kuajve dhe ka lindur si kërkesë e pashmangshme e artistes. Njëkohësisht bëhet shprehi e qëndrimit të saj estetik të stilizimit të formave gjeometrike që na vijnë nga format e qeramikës së lashtë të Mesdheut tonë.

Blerta Surroi ‘pikton’ me motive që të japin një ndjesi sa prehistorike dhe moderne, si e vlerësoni elementet që përbëjnë mozaikët e saj?
Qeramikën e Blerta Surroit e konceptova si një ansambël të vetëm skulpturor në brendësi të arkitekturës kuratoriale. Krijimet e saj përbëhen nga qindra pjesëza të montuara në trajta kuadratike, me brinjë të përmasave të ndryshme. Kjo ishte molekula e saj që më ndikoi ta ndiqja dhe ta ktheja në një kompozim të madh, monokromatik, por me vizion tërheqës. Vepra “Shtëpia” e krijuar po me të njëjtat elemente të shprehisë artistike e përmbyll konceptin tim mbi vijën artistike të artistes. Kjo vijë ka dy veti. Vetia e parë është materiali i qeramikës, e cila shfaqet në format e një sheshi të madh të terrakotës së kuqe e të pjekur dhe vetia e dytë është skulpturore, që vjen përmes vizatimit të gërvishtjes apo grafikimit piktografik. Nëpërmjet tyre, artistja ka krijuar me dhjetëra e dhjetëra figura. Ato janë figura që dallojnë shprehi veprimi apo objekte universale natyrore, urbane e rurale nga jeta e përditshme njerëzore. Duket se dheu te krijimtaria e Blertës shfaqet i pastër, lidhet me tokën, me shtëpinë, me vendin ku lindim, pse mos dhe me emrin e Kosovës si shtet i pavarur, si shtëpia e ëndërruar e çdo shqiptari të saj. Krijimtaria e Blertës më ndihmoi të kapërcej një stad të rëndësishëm të kurimit. Ngjyra e saj në harmoni të plotë mbi çdo pjesë skulpturore e strukturoi dhe i dha potencial individual hapësirës, ku qeramika e artistes zuri vend. Si dhe krijoi kontrastin e dëshiruar në përballje me krijimtarinë plot koloritet e volume organike të Mira Kuçukut. Në gjuhën e kurimit do të thotë se secila krijimtari ndihmoi njëra-tjetrën.

Kur pashë punimet e Gresa Kurtit, më goditi kontrasti i punimeve të saj – vorbat, siç i quani ju, jashtë me forma natyrale, ndërsa brenda ka një univers ngjyrash kozmik…
Gresa është artistja më e re e ekspozitës. Ajo diplomon në Master për qeramikë në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe edukimi i parë universitar është gjuha gjermane. Kur njoha krijimtarinë e Gresës u binda edhe më shumë se prekja e argjilës është një proces ngazëllues dhe se kurimi i ekspozitës ishte në rrugë të mbarë. Zbulova formën dhe volumin fillestar të krijimit në qeramikë, edhe pse ato ishin krejt moderne. Që nga lashtësia i tillë ka qenë ky proces dhe prej të cilit, historia e artit të kombeve të ndryshëm, ka përftuar objekte skulpturore të mrekullueshme, ndërmjet tyre pitoset dhe harset ose vazot prej qeramike. Gresa Kurti më ka befasuar me trajtimet e volumeve të vorbave të saj, të cilat së jashtmi kanë një koracë të ashpër, ekspresive, plot hyrje dhe dalje e me buzë të “thyera”, të lindura nga teknika raku, të zeza nga tymi i flakës. Artistja nuk ndërhyn t`i tjetërsojë, sepse i ka menduar të jenë të tilla. Kjo koracë formash organike e shmang simetrinë dhe duket se ruan butësinë dhe qetësinë e brendësisë simetrike të vorbave. Në këtë brendësi shpërthejnë ngjyrat e forta të glazurave blu, të kuqe, gri metalixato. Një përshkrim i tillë sipërfaqësor apo i pamjes së jashtme të vorbave lidhet me perceptimet e artistes mbi paradigmat sociale në rrafshin vetjak, që do të thotë se e keqja më e madhe është te bota e errët që nuk e njohim dhe e mira më e madhe është te bota brenda nesh, të cilën mendojmë se e njohim. Modelimi i objekteve të artistes e tejkalon masën e një vazoje, ajo nuk është më një e tillë. Në këtë mënyrë artistja krijon rozetat në formë drejtkëndore dhe rrethore. Frakturat, teksturat, gërvishtjet, ashpërsitë e formës së tyre të jashtme rrethojnë dhe kontrastojnë butësinë e botës së brendshme apo të qendrës së tyre, e cila është pikuar e ngjyruar me delikatesë. Kjo i kthen vorbat dhe rozetat e saj në artefakte unike.
Laura Kryeziu punon mbi ‘baltën’ me një kolor “vullkanik”, përmes formave gjeometrike, që ju e quani ‘pika kardiale e spirales të Arkimedit’…
Krijimtaria e Laurës, Gresës dhe Llambrinisë në një vendndodhje të përbashkët krijuan hapësirën volumetrike të kurimit. Secila prej tyre krijoi mjedisin e vet dhe qëndrueshmëria artistike e secilës gjeneroi shprehi imazhi të pranueshëm dhe shumë tërheqës. Marrëdhënia e argjilës dhe metalit kanë qenë pika e nxehtë e tërheqjes së vëmendjes sime, kur takova krijimtarinë e artistes Laura Sllamniku Kryeziu. Në studion e saj gjeta enët prej balte që dukeshin të sapozbuluara nga ndonjë arkeolog gërmimesh. Një pikë e zanafillës që lidhej me një prej elementeve të konceptit tim për të ndërtuar një ekspozitë qeramike. Në mënyrë të natyrshme ndjesia e parë e saj është lidhja e dheut me zjarrin, por shprehitë e saj artistike e tejkalojnë procesin, duke krijuar ndjesi të rrjedhjeve në formë derdhje. Ato krijojnë masa relievi organik sa të ngjitura në rrafsh, po aq të shkëputura në hapësirë. Ato i japin të njëjtën vëmendje si sipërfaqeve të shtrira kompozicionale, ashtu dhe krijimit përmes volumeve harkore. Në një pjesë të sipërfaqeve të shtrira artistja zgjedh abstragimin organik si ngazëllim emocional, për të krijuar spiralet dhe u jep atyre gjallëri të metalizuar. Ajo formon tekstura të gërvishtura gjeometrikisht, të cilat prej ëndrrave i ngjesh si sipërfaqe të buta dhe prej kujtesës i çan dhe e plasarit. Forca e mbijetesës së dritës ëndërruese imagjinuese i qep me fije metali për t`i mbajtur të ribashkuara. Pjesët e lidhura, përpos që fitojnë një ndjesi estetike, ato transmetojnë mendimin e artistes mbi humbjen dhe zhdukjen, mbi rishfaqjen dhe rilindjen. Glazurat ose ngjyrat kimike dhe metalet janë përsëri cilësi estetike e gjetjes së artistes, për të nxitur te vizitori ndjesinë e të bukurës dhe harmoninë kompozicionale.



